Ashtu siç ishte parashikuar, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry është takuar me kreun e opozitës, Lulzim Basha, pas takimeve që pati në Kryeministri me ministrin e Jashtëm Bushati, si dhe kreun e qeverisë Rama.
Takimi i kryediplomatit amerikan me kryeopozitarin shqiptar është zhvilluar në ambientet e Hotel “Rogner”, teksa Bashën e kanë shoqëruar edhe disa prej deputetëve demokratë, duke nisur me kreun e grupit parlamentar, Edi Paloka, me nënkryetarin e partisë, Edmond Spaho, si dhe Jorida Tabaku e Aldo Bumçi.
Në këtë takim mungonte kryetari historik i PD-së, Sali Berisha, ndërsa besohet që edhe në këtë takim, Sekretari Kerry të ketë theksuar nevojën e miratimit të reformave kryesore në vend, me në krye atë të drejtësisë, si një gur themeli drejt avancimit të Shqipërisë në BE.
“Sfidat e mëdha që e presin Shqipërinë kanë të bëjnë me luftën kundër krimit dhe korrupsionit si parakusht i ecjes së Shqipërisë përpara në rrugën drejt integrimit europian, i forcimit të kapaciteteve të Shqipërisë për të qenë një partnere e denjë e SHBA-së në sfidat e përbashkëta kundër ekstremizmit, por në radhë të parë duke forcuar demokracinë e brendshme. Në këtë kontekst ecim përpara me reforma shumë të rëndësishme si ajo në drejtësi, në përputhje me rekomandimet, standardet dhe normat e pranuara bashkërisht, siç janë ato të Komisionit të Venecias. Çështje kyçe për Shqipërinë është edhe ajo e zgjedhjeve të lira e të ndershme, për të cilën opozita kërkon angazhimin e partnerëve tanë. I jam mirënjohës sekretarit Kerry që ndau kohë edhe për të biseduar me opozitën. Këtë e konsideroj një shenjë të madhe besimi te opozita, te Partia Demokratike dhe i garantojmë se do të bëjmë çdo përpjekje për t’i mbyllur derën oligarkisë dhe për t’i hapur rrugë një demokracie pjesëmarrëse për qytetarët shqiptarë”, deklaroi Basha para mediave.
Diskutime rreth kësaj post