Pas disa muajsh bisedimesh është arritur më në fund marrëveshja mes Luis Suarez dhe drejtuesve të Barcelonës për rinovimin e kontratës. Tashmë është një fakt i kryer. Këtë të Premte “El Pistolero” do të firmosë zyrtarisht kontratën e re që do ta mbajë të lidhur me Barcën deri në verën e vitit 2022. Në këtë mënyrë duke patur parasysh edhe faktin që në Janar, Suarez do të mbushë 30-vjec, uruguiani me nënshkrimin e marrëveshjes së re mund të vendosë t’i japë fund karrierës te Barcelona, pasi kur t’i përfundojë kontrata do ti ketë mbushur 35-vjec.
Një kontratë e re afatgjatë në terma më të mirë ekonomikë. Gjithcka e merituar për Suarez pasi “El Pistolero” është një nga sulmuesit më produktivë në historinë e Barcelonës. Në 2 sezone e pak me Barcën, Suarez ka zhvilluar në total 116 ndeshje duke realizuar plot 96 gola. Rinovimin me sulmuesin uruguaian deri në vitin 2022 e kishte paralajmëruar pak ditë më parë presidenti i skuadrës katalanase Josep Maria Bartomeu dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizimi që do të vijë këtë të Premte. Për momentin nuk bëhen të ditura termat ekonomikë që do të përfitojë bomberi 29-vjecar nga marrëveshja e re.
Diskutime rreth kësaj post