Reshjet e dëborës gjatë kësaj stine, në mes të muajit prill, kanë prekur disa vende të Ballkanit si Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe Kroacia.
Në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë sot filloi të bjerë dëborë bashkë me reshjet e shiut, kurse nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bëri të ditur se sot do të ketë mot me diell dhe vranësira, të cilat do të shoqëroheshin me reshje shiu dhe dëbore.
Ndërsa në Sarajevë, në Bosnje-Hercegovinë sot në mëngjes ka rënë dëborë deri në 30 centimetra dhe për pasojë ka patur problemem me trafikun. Moti i keq dhe reshjet e borës që nga mbrëmë kanë shkaktuar defekte edhe në rrjetin elektrik si pasojë e së cilës shumë shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike, përcjell Atsh.
Sipas sinoptikanëve, temperatura e ditës do të arrijë deri në katër gradë Celsius. Në Bosnje kryesisht ka mot të vrenjtur me dëborë dhe shi, ndërsa gjatë ditës pritet të pakësohen reshjet në pjesën më të madhe të vendit. Edhe në Kroaci sot ka patur reshje dëbore.
Diskutime rreth kësaj post