Grupi parlamentar i Partisë Socialiste, nën drejtimin e kryetarit, Edi Rama u mblodh mesditën e së hënës në mbledhjen e përjavshme, ku u diskutuan çështjet e reformës në drejtësi dhe procesi i zgjedhjes së delegatëve për Kongresin e ardhshëm të PS-së, që do të mbahet më 19 mars.
Pas mbledhjes, nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, informoi mediat mbi procesin e votimit të delegatëve që nisi të shtunën në katër qarqe të vendit, Korçë, Fier, Berat dhe Elbasan. Procesi i përzgjedhjes së delegatëve, tha ai, ka kaluar përmes shumë konsultimeve që fillojnë nga baza e PS-së, që janë organizatat e saj.
“Ky proces përmbyll fazën e parë të përgatitjes dhe më 19 mars, pasi të jetë mbyllur procesi do të zhvillohet dhe Kongresi”, bëri të ditur Balla.
Nënkryetari i grupit socialist e vlerësoi ‘mbresëlënëse’ pjesëmarrjen në votime, ndërsa procesin e konsideroi ‘të shkëlqyer dhe demokratik’.
Po i tillë, shtoi ai, ka qënë dhe procesi i numërimit dhe administrimit të procesverbaleve. “Dua të theksoj se ky proces zhvillohet i tillë vetëm në PS, pasi ne jemi e vetmja forcë që delegatët i zgjedh përmes parimit ‘një anëtar, një votë’, tha nënkryetari i grupit socialist.
Duke informuar mbi rezultatet e procesit në katër qarqet, Balla tha se në këto votime morën pjesë 24.783 anëtarë të PS-së ose rreth 73.1 për qind e anëtarësisë. Nga këto votime u zgjodhën 337 delegatë, 146 prej tyre janë gra dhe 105 të tjerë, të rinj e të reja, theksoi Balla.
Zgjedhja e delegatëve për Kongres në qarkun e Elbasanit u kritikua ashpër të shtunën nga deputeti Ben Blushi, i cili tha se delegatët po emërohen dhe nuk po zgjidhen.
Diskutime rreth kësaj post