Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, nepërmjet një deklarate për mediat mbrëmjen e të hënës, u shpreh se “Pritëm për disa orë që Partia Demokratike të dënojë incidentin e rëndë dhe veprën penale, të provuar tashmë, të armëmbajtjes pa leje të deputetit të saj Gent Strazimiri. Por, në vend që Partia Demokratike minimalisht të distancohet dhe të perjashtojë këtë shkelës të ligjit nga radhët e veta dhe të mbështesë Policinë e Shtetit dhe drejtësinë të bëjnë detyrën e tyre në këtë rast, po i ofron mburoje politike. Madje, Sekretari i Pergjithshëm i PD, Arben Ristani, me paturpësi ka shkuar deri aty sa ta quajë këtë incident të rëndë si një inskenim të mediave, megjithëse shkelësi i ligjit G.S. e pranoi vetë këtë vepër kriminale”.
“Duke i konsideruar veprimet e deritanishme të Policisë së Shtetit si tepër korrekte, kërkojmë që sipas ligjit shtetasi G.S. të procedohet penalisht në kushtet e flagrancës të armëmbajtjes pa leje. Kujtoj që kjo vepër penale është një vepër e përfshirë në Ligjin për Dekriminalizimin. Është rasti që PD të dëshmojë me vepra dhe jo me fjalë respektin ndaj ligjit. Gjithashtu, dënoj edhe dhunën e deputetëve dhe përfaqësuesve të tjerë të PD ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Policisë Bashkiake të Tiranës”, theksoi Balla.
Diskutime rreth kësaj post