Taulant Balla, sfidoi kolegët e opozitës në Kuvend, që akuzuan qeverinë për krizën e çmimeve, teksa i ftoi që të shkojnë nesër në Lushnjë për të parë me sa i kanë dhënë këtë vit fermerët produktet e tyre.
“Ju pres nesër kushdo nga ju, të shkojmë te grumbulluesit në Lushnjë, e t’iu thonë ata me sa ua morën produktet këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar. Ne nuk duhet të krahasohemi me ju, se s’kemi ç’të krahasohemi”, tha Balla.
Më tej, Balla foli me shifra, duke theksuar se produktet në eksport deri në vitin 2013 ishin 140 milionë dollarë dhe asnjë produkt blegtoral shqiptar nuk dilte jashtë kufirit, madje as në Kosovë, ndërsa sot sipas tij, vlera ka shkuar në 480 milionë dollarë, dhe brenda vitit 2025 do të arrihet parashikimi i 1 milion dollarëve.
“Është e pamundur që një ndërhyrje e tillë të zbatohet përgjatë vitit fiskal. Ne do ta rrëzojmë këtë nismë, kemi respektuar rregulloren e Kuvendit. Nuk po hyj fare në diskutimet e pavend që janë bërë, e ndoshta ndonjë rrëshqitje e gjuhës e ndonjë kolegu, se në fakt sektorët në ekonomi gjëja që i mat më mirë janë shifrat. Këtu ka deputetë të opozitës, Dashi nuk qenka, që është i gatshëm të dalë nesër e të shkojë të pastrojë nesër një kanal vaditës. Mirë do ishte, mund ta bënte këtë punë. Dua t’iu them qartë se qeveria shqiptare në tetë vitet e fundit ka investuar dhe ka risiguruar, pas vitit 1990, duke vendosur nën ujë 230 mijë hektarë. Janë dhe 50 mijë, dakord, por deri në 2013 nuk ishte bërë asgjë, zero. Janë rehabilituar 14 diga rezervuarësh, në të cilat nuk ishte vënë dorë, dhe nëse nuk do të ishte vënë dorë, do të ishte rrezikuar jeta dhe do ishin shkaktuar katastrofa. Më 2013, kontributi në eksporte ishte 140 milionë dollarë. Asnjë produkt blegtoral shqiptar nuk lejohej të dilte jashtë kufirit shqiptar, madje as në Kosovë. 460 milionë dollarë ka shkuar për vitin 2021. Eksportet shqiptare në bujqësi do të jenë të paktën 580 milionë dollarë, kur të mbyllet ky vit. Jam i sigurt që ne do të shkojmë në këtë shifër historike dhe jam po aq i sigurt që më 2025 do arrijmë atij, ku i kemi dhënë fjalët fermerëve, te 1 milion dollarë”, tha Taulant Balla.
Diskutime rreth kësaj post