Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar lidhur me dosjen e drejtësisë greke për të shumëkërkuarin Klement Balili.
Manjani thotë se dosja ka mbërritur në Shqipëri që më 14 nëntor, ndërsa i është përcjellë brenda ditës Ministrisë së Drejtësisë. Pas regjistrimit në organin e akuzës, thotë Manjani, Ministria e Drejtësisë nisi nga puna përkthimin e dosjes
Deklarata e Manjanit:
I surprizuar (jo për herë të parë) nga përhapja e një lajmi me burim TCH, mbi vonesat e dosjes se Klement Balilit, dua tu bëj me dije se:
- Që prej ditës së djeshme, pra para se të bëhej lajmi Prokuroria Shqiptare ka në dispozicion dosjen e përkthyer zyrtarisht. Ministri i Drejtësisë është autoriteti ligjor që përkthen dhe çertifikon përkthimet ligjore.
- Dokumentat origjinale në gjuhën Greke ne i kemi marrë zyrtarisht, më datë 14 Nëntor 2016. Kjo dosje ju përcoll ashtu siç ishte brenda ditës Prokurorisë. Kjo e fundit i regjistron këto dokumente në dosjen hetimore.
- Më datë 16 Nëntor, është sjellë në Ministri, nga Prokuroria kopja e dosjes për tu përkthyer zyrtarisht. Procedurë e kërkuar nga ligji.
- Menjëherë zyra e përkthimeve ligjore në Ministri, si për çdo rast tjetër ka filluar punën për përkthimin dokumentave. Fillimisht u angazhuan 10 përkthyes dhe në vijim u shtuan edhe 5 të tjerë. Praktika ime e punës është veprim sa më i shpejtë, veçanërisht në çështjet e marrëdhënieve juridiksionale me jashtë. Kjo zyrë administron të dhëna konfidenciale në shërbim të proceseve hetimore dhe jo vetëm.
- Koha që u harxhua për përkthim ishte rekord! Përkthime të kësaj natyre janë të vështira sepse kërkojne nivel profesional. Kjo vështirësi shtohet kur volumi është i madh! Sidoqoftë tashmë dosja e përkthyer zyrtarisht është dërguar dje, datë 06.12.2016.
Kjo është kronologjia e kësaj dosje, për të gjithë ju që doni të dini të vërtetën. Kjo është kronologjia zyrtare e faktuar për të gjithë ata që bëjnë lajme në emër të “burimeve” gjithfarësh! Me këtë rast le të njoftohen edhe “burimet”…
Kjo është e vërteta edhe për ata që zhvillojnë skenarë e teori konspiracioni me “mbrojtje” për të kërkuar apo të dyshuar!
Madje këtij grupi dua t’i sjell në vëmendje se Ministri i Drejtësisë nuk është as Prokuror, as Gjykatës e as Polic! Që do të thotë kushdo që e ka në dorë për ta arrestuar e gjykuar ligjërisht Klement Balilin dhe këdo tjetër bën mirë ta bëjë!
Këtë gjë e kam thënë që në muajin maj të këtij viti dhe nuk e ndryshoj aspak qëndrimin!
Punë të mbarë drejtësisë! Të tjerat s’kanë më asnjë rëndësi!
Diskutime rreth kësaj post