Policia e Shtetit ka tentuar edhe më herët të ndalojë, Klemend Balilin, i cilësuar nga autoritetet greke si “Eskobari i Ballkanit”.
Top Channel ka mësuar nga burime konfidenciale, se në fund të muajit tetor, një operacion i zhvilluar për kapjen e tij, nuk ka rezultuar i suksesshëm. Uniformat blu kishin marrë informacion se një mbrëmje Balili do të kalonte me një automjet në qafën e gjashtës, në hyrje të qytetit të Sarandës.
Për kapjen e tij, është nisur nga Tirana një grup i forcave të posaçme operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, duke shmangur përfshirjen e policisë lokale për shkak të frikës së dekonspirimit të operacionit.
Megjithatë pas ndjekjes dhe ndalimit, brenda automjetit të dyshuar, forcat operacionale nuk kanë gjetur Klemend Balilin, por vetëm 2 persona të afërm të tij. Sipas burimeve, informacioni për lëvizjen e Balilit në këtë aks, rreth 6 javë më parë ka qenë tepër i saktë, por dështimi i ndalimit të tij ka hedhur dyshime për dekonspirim të operacionit pasi ai mund te jetë vënë në dijeni.
Dy ditë më parë, Top Channel bëri me dije se dosja e Balilit kishte mbërritur në Ministrinë e Drejtësisë që në 12 nëntor, ndërsa pas përkthimit ajo i është dorëzuar Prokurorisë vetëm ditën e djeshme.
Diskutime rreth kësaj post