Policia greke publikoi të dielën pamjet e ndjekjes së gomones me drogë të nisur nga Shqipëria, në bordin e së cilës ndodheshin dy shtetas shqiptarë dhe një italian.
Korespondenti i Top Channel në Athinë, Artur Bibe, duke iu referuar burimeve policore greke, raportoi se gomonia është nisur nga Himara.
Polica greke dyshon se me këtë grup është përballur edhe 10 ditë më parë gjatë tranportimit të një sasie tjetër kanabisi, që dyshohet se ishte nisur po nga Shqipëria.
Pas peshimit, sasia e drogës rezulton 1.6 tonë, por siç duket edhe nga pamjet, policia greke dyshon se një pjesë e ngarkesës bashkë me armët Kallashnikov dhe aparatet celularë janë hedhur në det gjatë ndjekjes.
Në një konferencë për shtyp policia greke konfirmoi se angazhimi maksimal të të gjitha institucioneve ligjzbatuese greke, për të shkatërruar këtë grup trafikantësh.
“Në skaf ndodheshin dy shqiptarë dhe një italian, të cilët u arrestuan. Ndërkohë që u sekuestrua edhe një sasi prej 1.6 tonë lëndë narkotike. Gjithashtu në sajë të hetimeve që u nisën për ngjarjen, u arrestuan edhe pjesëtarë të tjerë të grupit me role të ndryshme në trafikimin e lëndëve narkotike, duke e çuar numrin e të arrestuarve në 10 persona, ndër të cilët 6 shqiptarë, dy italianë, një bullgar dhe një shtetas grek. Ndërkohë që hetimet vazhdojnë”, u shpreh Nikolaos Lagadianos, zëdhënës i Rojës Bregdetare Greke.
“Ky operacion ishte shumë i rrezikshëm për një sërë arsyesh, pasi ata përdorin gomone shumë të shpejta. Trafikantët mbanin me vete armë si dhe ata bënin manovrime të rrezikshme në det edhe prej faktorit të errësirës”, tha Giannis Argiriu, shef i sigurisë së Rojës Bregdetare.
I gjithë operacioni i fundjavës u filmua nga kamerat e fuqishme të një helikopteri të policisë greke. Mjeti lundrues u pikas fillimisht në Korfuz dhe ndjekja vijoi deri në Kallamata për të përfunduar pranë ishullit të Keas në jug të Athinës.
Pas ndjekjes për disa orë dhe shkëmbimit të zjarrit, në pamje duket që trafikantët dorëzohen duke ngritur duart lart pas plagosjes edhe të njërit prej tyre.
I plagosuri dhe shqiptari i dytë që ndodhej në gomone, janë të dy nga Saranda. Policia e Sarandës ka ushtruar kontroll në banesat e tyre, ndonëse nuk e konfirmon zyrtarisht këtë fakt. Përveç tre personave në gomone, numri i përgjithshëm i të arrestuarve nga policia greke ka shkuar në 10 persona, 6 nga të cilët janë shqiptarë, por mes tyre ka edhe shtetas grekë dhe italianë.
Sikurse njofton korrespondenti i Top Channel në Athinë Artur Bibe, që i referohet burimeve greke, autoritetet shqiptare kanë kontaktuar me palën greke që në fundjavë. Por policia greke nuk u ka dhënë asnjë detaj, duke u përgjigjur se bëhet fjalë për një operacion në zhvillim e sipër.
Të njëjtat burime që e njoftuan ekskluzivisht korrespondetin e Top Channel për mbërritjen e skafit në portin e Pireut, thonë se pala greke ka dyshime të forta se pas këtij grupi kriminal ka interesa komplekse politike dhe ekonomike në Shqipëri.
Rasti i Klement Balilit, për të cilin pala greke informoi autoritetet shqiptare dhe që sot është i lirë, mesa duket i ka bërë autoritet greke skeptike për të informuar palën shqiptare për rastin në fjalë.
Kjo mungesë totale komunikimi shpjegon mesa duket edhe heshtjen e derisotme të Policisë së Shtetit për ngjarjen, ngjarje, e cila ndodhi vetëm 2 ditë pas vizitës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako në Athinë dhe takimeve të tij me homologun grek.
Ekipi i Top Channel e ka raportuar në vazhdimësi historinë e trafikimit të kësaj sasie të madhe droge, kurse pamjet e skafit që mbërrin në portin e Pireut dhe nxjerrja e skafistit të plagosur, të xhiruara ekskluzivisht nga operatori i Top Channel, Ilia Poçi, janë përdorur edhe nga vetë televizionet greke.
Diskutime rreth kësaj post