Presidenti i vendit, Bajram Begaj do të mbledhë ditën e sotme Këshillin e Sigurimit Kombëtar në orën 14:00. Në fokus të kësaj mbledhje do të jetë “Analiza e gjendjes së sigurisë kombëtare dhe diskutimi i prioriteteve për vitin 2023”.
Kreu i shtetit përmes mbledhjes të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, kërkon të informohet me detaje rreth gjendjes aktuale të Sigurisë Kombëtare në vendin tonë.
“Në vijim të njoftimit paraprak, ju bëjmë me dije se sot në orën 14:00 Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Bajram Begaj në zbatim të detyrimeve kushtetuese dhe ligjore do të mbledhë Këshillin e Sigurimit Kombëtar. Referuar parimeve të sigurisë në të cilat zhvillohet kjo mbledhje, Institucioni i Presidentit të Republikës do të jetë përgjegjës për përcjelljen e materialeve filmike dhe fotografike si dhe informacionit përkatës në kohë reale”, sipas njoftimit të Presidencës.
Tre janë pikat e parashikuara në mbledhjen e këtij Këshilli, mes tyre edhe lufta në Ukrainë. Në mbledhje pritet të marrin pjesë drejtuesit e institucioneve kryesore në vend duke nisur nga kryeministri Edi Rama, kryeparlamentarja Lindita Nikolla, ministrat Niko Peleshi, Olta Xhaçka, Bledi Çuçi, Delina Ibrahimaj dhe Frida Krifca.
Në mbledhje do të jetë i pranishëm kreu i komisionit të sigurisë, Nasip Naço, si edhe nënkryetari i këtij komisionit, Ferdinand Xhaferri, si pjesë e opozitës.
Në mbledhje nuk do të mungojnë as shefi i Forcave të Armatosur, Arben Kingji, kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku si edhe nëndrejtori i SHISH, Oljan Kanushi. I ftuar për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nën drejtimin e Presidentit të Republikës, është edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Diskutime rreth kësaj post