Forcat e Azerbajxhanit sulmuan pozicionet armene në rajonin e Nagorno-Karabakhut. Azerbajxhani iu referua sulmit si “operacion anti-terrorist”, ndërkohë që zyrtarët armenë njoftojnë për bombardime të shumta përreth kryeqytetit të këtij rajoni. Njoftohet për të paktën tre civilë të vrarë dhe 23 të lënduar nga të dyja palët.
Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit njoftoi për fillimin e operacionit disa orë pasi katër ushtarë dhe dy civilë kishin mbetur të vdekur nga shpërthimet e minave tokësore në rajonin e Nagorno Karabakhut. Sulmi i sotëm ngre shqetësime për shpërthimin e luftës për këtë territor ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë, siç ndodhi për gjashtë javë në vitin 2020.
Zyrtarët azerbaixhanas nuk dhanë detaje të tjera, por njoftuan se pozicionet e ushtrisë armene në vijën e frontit dhe mjetet ushtarake po “dëmtoheshin përmes përdorimit të armëve me saktësi të lartë,” dhe se vetëm objekte legjitime ushtarake po sulmohen.
Ministria e Jashtme e Armenisë mohoi se forcat dhe armatimi i tyre ishte i pranishëm në Nagorno-Karabakh dhe i quajti “zëra të pasaktë” pohimet për sabotim dhe vënie të minave në rajon, duke thënë se ato ishin “gënjeshtër dhe fabrikime”.
Zyrtarët armenë në Nagorno-Karabakh deklaruan se kryeqyteti i rajonit Stepanakert dhe fshatrat përreth po “bombardoheshin rëndë.”
Avokati i Popullit në Nagorno-Karabakh, Geghan Stepanyan tha se dy persona janë vrarë në sulm – përfshirë një fëmijë – dhe 23 ishin plagosur. Të paktën 8 nga të lënduarit janë fëmijë, sipas tij.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Azerbajxhanit deklaroi të martën se forcat armene kishin shtënë në qytetin e Shushës, një qytet i njohur në Nagorno-Karabakh, që është nën kontrollin e Azerbajxhanit, me armë të kalibrit të madh, dhe një civil ishte vrarë si rezultat i sulmit.
Ndonëse Azerbajxhani tha se operacioni ishte i kufizuar në objekte ushtarake, ministria e mbrojtjes njoftoi se “korridore humanitare” ishin formuar për “evakuimin e popullatës nga zona e rrezikuar”.
Analisti Thomas de Waal pranë organizatës Carnegie në Evropë, theksoi se operacioni ushtarak mund të jetë një plan i presidentit azer, Ilhan Aliyev për t’i detyruar banorët armenët të shpërngulen nga ky rajon.
“Ndoshta po shohim një aksion ushtarak që do të detyrojë mijëra armenë të ikin në Armeni. Pastaj, zoti Aliyev mund të përmbushë qëllimin e tij për të pushtuar Karabakun pa shumë gjakderdhje,” i tha zoti de Waal agjencisë Associated Press.
Një deklaratë e lëshuar nga Ministria e Brendshme e Azerbajxhanit, shërbimi shtetëror i sigurisë dhe prokurori i përgjithshëm njoftoi se dy punonjësit e departamentit rrugor humbën jetën pak para agimit, kur makina e tyre u hodhë në ajër nga një minë. Ndërkaq, më pas, një kamion me katër ushtarë që shkuan për të ofruar ndihmë, shkeli në një minë tjetër, duke i lënë të vdekur të gjithë.
Nagorno-Karabakhu dhe territoret përreth u kontrolluan nga armenët, në fund të luftës separatiste më 1994, por Azebajxhani arriti t’i rimarrë territoret dhe një pjesë të Nagorno-Karabakhut gjatë luftës së vitit 2020. Lufta përfundoi me një armëpushim dhe vendosjen e një kontigjenti paqëruajtësish rusë në Nagorno-Karabakh.
Por, Azerbajxhani pretendon se që atëherë Armenia ka futur armë në rajon. Këto supozime çuan në bllokimin e rrugës që lidh Nagorno Karabakhun me Armeninë, duke shkaktuar mungesë ushqimi dhe barnash në këtë rajon.
Tensionet po ndodhin në një kohë marrëdhëniesh të acaruara ndërmjet Armenisë dhe aleatit të saj tradicional, Rusisë. Armenia vazhdimisht është ankuar se forca prej 2,000 paqëruajtësish rusë nuk ka mundur, apo nuk ka dashur ta mbajë rrugën me Armeninë të hapur, ndonëse një detyrim i tillë del nga marrëveshja që i dha fund luftës së vitit 2020.
Armenia po ashtu ka krijuar pakënaqësi tek Rusia, e cila mban një bazë ushtarake në këtë vend, duke marr pjesë në stërvitje ushtarake me Shtetet e Bashkuara gjatë këtij muaji dhe duke ratifikuar Konventën e Romës, që themeloi Gjykatën Kriminale Ndërkombëtare, e cili ka paditur Presidentin rus, Vladimir Putin.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova i hodhi poshtë të martën pohimet se Rusia ishte njoftuar paraprakisht për planet e Azerbajxhanit për të zhvilluar operacionin, duke thënë se paqëruajtësit rusë ishin njoftuar vetëm “pak minuta” para se të fillonte ai.
Sipas analistit de Waal, marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet Armenisë dhe Rusisë luajnë rol.
Diskutime rreth kësaj post