Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Anastas Jonullatos, ka vizituar në ambientet e paraburgimit kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri.
Sipas mediave greke, vizita e kryepeshkopit në ambientet e paraburgimit për të takuar Belerin, i cili është lënë me masën e sigurisë arrest me burg, nën akuzën e blerjes së votave për zgjedhjet vendore të 14 majit, u zhvillua ditën e Shën Mërisë, pra më 15 gusht.
Eugen Gjyzari, avokat i Fredi Belerit tha në një intervistë televizive, se kryeministri i vendit është duke intimiduar gjykatën me qëndrimin publik që po mban për çështjen Beleri.
Gjyzari u shpreh se Gjykata e Lartë ende nuk është shprehur lidhur me këtë çështje, por shtoi se pas qëndrimeve të kryeministrit Rama janë skeptikë për vendimin e gjykatës.
“Nuk presim ndonjë zhvillim pozitiv, se duam s’duam do dalim te fjala e kryeministrit. Rama para disa ditësh tha: cila gjykatë do ta lirojë Belerin kur e kanë lënë në burg 3 gjykata deri në përfundim të hetimit, gjë që nuk është e vërtetë pasi nuk kemi ende një vendim të gjykatës së lartë. Kryeministri e di para nesh arsyetimin e vendimit dhe do, s’do e intimidon gjykatën”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post