995 mijë euro. Kjo është vlera totale e grabitur gjatë ditës së djeshme në aeroportin e Rinasit nga tre persona të cilët të maskuar dhe të veshur me jelekë të kompanisë që ka për detyrë ruajtjen e aeroportit, morën dy thasë me para të destinuara për në Vjenë e Itali.
Sipas të dhënave zyrtare të policisë, paratë e grabitura kanë qenë në njërën prej makinave që po transferonte lekët e një banke të nivelit të dytë, ndërkohë që automjeti tjetër ka qenë duke u afruar drejt pistës së aeroportit, por pas marrjes së informacionit për grabitjen është kthyer mbrapsht.
Ndërkohë, nga hetimet paraprake të grupit hetimor të ngritur për këtë ngjarje, bëhet e ditur se, në këtë ngjarje dyshohet se janë përfshirë edhe punonjës të kompanisë private, ndërkohë që janë duke u pyetur jo vetëm ata, por edhe punonjës të bankës së cilës iu vodhën paratë.
Përveç kësaj, një tjetër shkelje e kompanisë ka qenë ajo e futjes së automjetit në pistën e aeroportit, pasi ata kanë hyrë në portën jo të duhur, në një kohë kur porta tjetër, sipas ekspertëve ka pasur nivel më të lartë sigurie sesa porta ku u fut dje, që shërben edhe për furnizimin me karburant të avionëve apo futjen e bagazheve të udhëtarëve.
Ka pasur një urdhër të shefit të komisariatit që e detyronte kontrollin e kësaj porte me punonjës policie dhe në çdo rast kjo portë duhej të hapej vetëm në prani të forcave të policisë me procesverbal.
Sakaq, rojet e sigurisë kanë qenë duke qëndruar jashtë automjetit të blinduar në momentin e grabitjes, ndërkohë që kanë qenë vetëm 3 persona, kur në fakt duhet të ishin 7, për të siguruar ruajtjen e parave që po transferoheshin.
Sipas policisë, kamerat kanë kapur momentin kur janë duke lëvizur automjetet, por ata janë vështirësisht të identifikueshëm. Policia ka shoqëruar 36 persona në Krujë dhe Durrës, të cilët po pyeten rreth ngjarjes, pasi dyshohet se kanë lidhje me grabitjen.
Një ditë më parë, në vetëm 7 minuta, nga një prej portave hyrëse e aeroportit “Nënë Tereza” 3 grabitës të armatosur kanë arritur të marrin mbi 995 mijë euro dhe të largohen pa u pikasur nga forcat e sigurisë së kompanisë private ICTS.
Policia e shtetit nisi një operacion masiv por nuk ka arritur në gjurmët e autorëve të cilët pas grabitjes kanë djegur dhe automjetin. Kjo ngjarje ndodhi mesditën e kësaj të enjte rreth orës 14:45 minuta, vetëm 24 orë pasi aeroporti “Nënë Tereza” në Rinas shtoi masat e sigurisë pas shpërthimeve terroriste në aeroportin “Ataturk” të Stambollit në Turqi, që i morën jetën 42 personave.
Diskutime rreth kësaj post