Debati publik për ndërtimin e mijëra metra katrorë kulla në kryeqytet është kthyer së fundi në një luftë politike. Çdo parti akuzon kundërshtarët se kanë lidhur aleancë me investitorët e pallateve për të përfituar sipërfaqe ndërtimi, e rrjedhimisht miliona euro pasuri që burojnë nga godinat më të shtrenjta në Shqipëri.
Në verën e këtij viti akuzat nisën të përfshijnë jo vetëm zyrtarë të lartë të mazhorancës, të cilët kanë në dorë institucionet që firmosin lejet e ndërtimit, por dhe opozitën. Debatet kulmuan kur Gazmend Bardhi, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha në të shkuarën, e akuzoi atë si pronar të dy kateve, te një nga ndërtesat më të shtrenjta të kryeqytetit “ Lion Residences”.
“Të jem i sinqertë u emocionova shumë sidomos nga kjo ‘aleanca e kullave’, në fakt parafolësi është i vetmi që muajin e fundit ka marrë nja dy kate në një kullë, në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës.” deklaroi disa javë më parë në Kuvend deputeti Gazmend Bardhi.
Lulzim Basha e konsideroi shpifje këtë akuzë, duke e sfiduar Gazmend Bardhin me zbardhjen e të vërtetës nga Prokuroria.
“Deputeti nuk mban përgjegjësi për çfarë thotë. Sot ky rregull është bërë shkak që të hapet goja ‘çorap i pisët’, siç u hap sot”, replikoi Lulzim Basha.
Akuzat vazhduan dhe jashtë dyerve të parlamentit.
Aurela Basha, pronare e 246 m2 katrorë në “Lion Residence” . 2 144 m2 në pronësi të familjes së bashkëshortes së Lulzim Bashës kushtuan 4.6 milion €
“Në vend të merret me opozitë, ka 2-3 muaj që më shumë kohë kalon në zyrën e arkitekturës për mobilimin e apartamenteve dhe njësive tregtare se sa me të bërin opozitë. Herë tjetër t’i bëjë llogaritë mirë kur hedh akuza në kuvend!” tha Gazmend Bardhi.
Lulzim Basha u zotua dhe përpara gazetarëve se akuzat e Gazmend Bardhit janë shpifje.
“Është një shpifje e pastër e ‘shkollës berishiste’. Vjen nga një njeri që deri dje sulmonte babin e Zenit dhe sot është bërë avokati i babit të Zenit dhe i kullave 64 katëshe.” deklaroi jashtë Kuvendit Lulzim Basha.
“Ata janë ish-miq me njëri -tjetrin dhe ia njohin të palarat. Kjo flluskë e madhe ndërtimi dhe ky konglomerat i parave të pastra dhe pista nuk do të operonte në Shqipëri sikur të mos kishte lejen e atyre që janë në pushtet dhe kanë qënë në pushtet. Ata përfitojnë nga lejet që janë japin dhe një nga mënyrat është përfitimi në hapësirë, apartamente, sipërfaqe banimi.” tha Arlind Qori, kryetar i Lëvizjes Bashkë për Kronos.
Por si qëndron e vërteta? Kronos ka arritur të sigurojë dokumenta autentikë nga regjistri i pasurive të patundshme, ku janë regjistruar kontratat e sipërmarrjes të blerësve në rezidencën “Lion”.
Në datën 31 gusht 2021, Xhafer Çerçiz Isufi, vjehrri i ndjerë i zotit Basha bashkë me kunatin e tij, Erion Isufin, kanë lidhur një kontratë sipërmarrje me kompaninë “Lion Construction sh.p.k” për të porositur 985.5 m2 sipërfaqe në pallatin Lion Residence, për të cilën kanë paguar 1.478.250 euro.
Më 8 shkurt 2022, kjo kontratë është regjistruar në regjistrin e akteve juridike paraprake pranë Agjencisë së Kadastrës, edhe pse i ndjeri Xhafer Isufi ishte ndarë nga jeta në fund të muajit janar.
Bashkëshortja e zotit Basha, Aurela Basha, është trashëgimtare e gjysmës së pasurisë që i takonte zotit Isufi në këtë sipërfaqe si trashëgimtare e tij.
Në bazë të Vendimit të Dëshmisë së Trashëgimisë të datës 2 shkurt 2022, dëshmitarët testamentarë, Xhane Isufi, Erion Isufi dhe Aurela Isufi Basha deklarojnë:
“Xhane Isufi trashëgon aksionet/kapitalet dhe të gjitha fitimet e çdo lloji që rrjedhin tani dhe në të ardhmen në cilësinë e ortakut për shoqëritë ‘Landmark Technologies’ dhe ‘Moveo Albania Technology’ dhe përfitimi i pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të të ndjerit nga momenti i nënshkrimit të testamentit dhe në të ardhmen, trashëgimtarë të vetëm të këtyre pasurive do të jenë Aurela Basha (Isufi) dhe Erion Isufi, me pjesë të barabartë ½ secili.” thuhet në deklaratën noteriale.
Sipas këtij akti, Aurela Basha rezulton përfituese për 246.4 metra katrorë të porositura në ndërtesën “Lion Residence”, e cila me çmimin mesatar të tregut në këtë godinë, 3000 euro/m2, ka një vlerë pasurie prej 738 mijë euro. Kronos dërgoi një kërkesë për informacion pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për të verifikuar nëse kjo pasuri është deklaruar nga subjekti Lulzim Basha dhe pjesëtarët e lidhur të tij, siç është në rastin konkret bashkëshortja Aurela Basha. Deri në këto momente ILDKPKI nuk ka kthyer përgjigje.
Sipas dokumenteve të Agjencisë së Kadastrës, për sipërfaqen e plotë të porositur nga e gjithë familja Isufi është paguar një çmim 1500 euro/ m2, ndërsa në realitet çmimet e shitjeve në këtë godinë variojnë nga 2900 deri në 3500 euro/m2 për njësitë e banimit, ndërsa ato të shërbimit janë edhe më të larta. Agjencitë imobiliare reklamojnë çmime nga 3600 deri në 4000 euro/m2.
“Bëhen ca kulla, këto kulla bëhen me para të pista, nuk ka asnjë logjikë ekonomike. Paratë e investuara në këtë mënyrë dhe paratë e vjedhura nga buxheti i shtetit për të investuar në këto lloj kullash, po gërryejnë nga rritja ekonomike e vendit dhe nga e ardhmja jonë”, thotë gazetari i rrjetit BIRN, Gjergj Erebara.
Në katin e parë të ndërtesës Lion Residence kompania Moveo Albania Technologies në pronësi 20% të Erion Isufit, kunatit të z.Basha, 20% të Xhane Isufit, vjehrrës së z.Basha dhe 60% në pronësi të shoqërisë italiane Moveo s.r.l., ka regjistruar kontratën e sipërmarrjes të firmosur më 8 nëntor 2021 për blerjen e 1158.6 m2 sipërfaqe për vlerën 3.150.396 euro. Për këtë sipërfaqe janë paguar 2719 euro për metër katror, 1219 euro më shumë se për sipërfaqen e blerë nga familja Isufi.
“Proçesi i kullëzimit të Tiranës ka efekte në ekonomi, shoqëri por dhe në sistemin politik. Sepse këta njerëz që kanë kaq shumë para, që kanë një normë fitimi shumë të lartë, kanë mundësi të blejnë dhe kompromentojnë sistemin politik dhe të dëmtojnë ekonominë dhe shoqërinë.” sqaron Arlind Qori, kryetar i ‘Lëvizjes Bashkë’.
Dokumentat e depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit nga Moveo Albania Technologies tregojnë se një pjesë e kompanive në pronësi të Erion Isufit si Landmark Communications, Landmark Technologies, Landmark Premium Print dhe Moveo Albania Technologies kanë lëvizur aktivitetin e tyre pranë Lion Residence.
Pagesat për të lidhur kontratën e sipërmarrjes janë bërë gjatë vitit 2022 në vlerë 199 mijë euro nga paratë e firmës Moveo Albania Technologies, të cilat janë reflektuar dhe në zërin aktive materiale për investime në ndërtesa dhe zyra në bilancin e vitit 2022, gjatë vitit 2021 kur është lidhur kontrata e porosisë, te bilancet e firmës rezultojnë për zërin e zyrave dhe ndërtesave 32.2 mijë euro shpenzime.
Kompania ka paguar parapagime për pasuri materiale 3.57 milion euro, ndërsa 1 milion e 91 mijë euro kanë shkuar për konsulenca në vitet 2021 dhe 2022. Moveo Albania Technologies rezulton me fitim të mbartur në vlerën 1.26 milion euro. Erion Isufi bashkë me bashkëshorten e tij Stela Dhami kanë porositur dy apartamente në rezidencën “Lion”, njërin me sipërfaqe 376 m2 dhe tjetrin me sipërfaqe 142 m2 dhe dy vende parkimi.
“Atje ku janë të përfshirë politikanët ka nevojë më shumë për transparencë më të madhe publike se në një rast tjetër, sepse politikanët gëzojnë privilegje që nuk i gëzon qytetari i thjeshtë dhe për këtë arsye niveli i llogaridhënies së tyre duhet të jetë më i lartë. Politikanët duhet të jenë transparentë dhe është detyrë e gazetarëve dhe të gjithgëve të hetojnë dhe të sigurojnë se politikanët shqiptarë, kushdo qofshin nuk janë mbi ligjin”, thotë analisti Neritan Sejamini.
“Është sindroma e një elite të vogël që luan me njëra-tjetrën, i gjithë vendi, përfshirë mazhorancën dhe opozitën janë të korruptuara deri në grykë dhe ky korrupsion pastaj shfaqet në këto lojra delirante, kush bën kullën më të lartë, kush ble më shumë apartamente në kate të larta. Kjo tregon se sa para çohen dëm, në vend që të bëheshin investime efikase në ekonomi që të sjellin vende pune dhe rritje ekonomike”, sqaron gazetari i Birn Gjergj Erebara.
Lion Residence është një nga ndërtesat më të reja në kryeqytet e vendosur në brendësi të Liqenit Artificial, një zonë që ka patur debate dhe kundërshti nga organiztat mjedisore dhe aktivistët nëse duhet lejuar apo jo ndërtimi.
Më 23 tetor 2019 godina me 14 kate mbi tokë dhe me sipërfaqe ndërtimi 33.477 m2 mori lejen zhvillimore nga Këshilli Kombëtar i Territorit në emër të kompanisë Lion Construction. Në këtë vit, të ardhurat e raportuara nga kompania ishin zero dhe 7 muaj pas lejes, biznesmeni Bardhjus Bushaj ble 75% të aksioneve dhe 25% të tjera kalojnë për Gjysho Merkon për një vlerë totale prej 162 mijë euro.
Një muaj më pas Bushaj ble dhe 25% të aksioneve të tjera të firmës për 40 mijë euro dhe bëhet pronar me 100% të kuotave. Disa muaj nga marrja e të gjithë pronësisë së kompanisë, Bushaj nis ndërtimin e godinës dhe një vit më pas shet gjysmat e aksioneve për Erion Ginën për vlerën 81 mijë euro. Edhe pse me zero të ardhura në momentin e marrjes së lejes, kompania ka arritur të ndërtojë mbi 33 mijë m2 katrorë sipërfaqe, të marrë kredi 4.7 milion euro kredi në 3 banka të ndryshme. Nga një kompani me 0 të ardhura, leja e ndërtimit i ka sjellë 17 milion euro vetëm për parapagime të porosive të apartamenteve.
“Një pjesë e kapitalit që investohen për kulla është i pisët dhe vjen nga grupet e krimit të organizuar. Në Tiranë po ndërtohet shumë dhe pse fuqia blerëse e qytetarit mesatar nuk i përgjigjet nivelit dhe masës së ndërtimeve. Nëse e shohim nga pozitat e një njeriu të shtresës së mesme apo punëtori që do të blejë shtëpi, e shikon që është praktikisht e pamundur ta blesh me punë, kursime apo kredi”, thotë Arlind Qori, drejtues i ‘Lëvizjes Bashkë’. /MCN
Diskutime rreth kësaj post