Një atentat me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e sotme në rrugën “Petro Cani”, pranë Pediatrisë në QSUT.
Autorët kanë qëlluar me pesë plumba Devi Kasmin, 41-vjeç, teksa dilte nga banesa e tij, i cili ka humbur jetën në vend. Viktima ka ndryshuar emrin pasi më parë quhej Defrim. Dyshohet se autori merrej me veprimtari kriminale pasi ai rezulton një person i njohur për policinë e Tiranës.
41-vjeçari është dënuar në 2010-ën nga Gjykata e Tiranës për një vepër penale. Dëshmitarë okularë bëjnë të ditur se kanë qenë dy persona në një motor sportiv dhe të shpejtë me skafandra në kokë, të cilët kanë hapur zjarr ndaj Kasmit.
Duke përfituar edhe nga errësira, ata janë larguar me shpejtësi në drejtim të zonës së Freskut. Policia ka gjetur në vendin e ngjarjes dy armë zjarri pistoletë.
Blutë sqarojnë gjithashtu se armët e zjarrit i përkasin viktimës i cili i ka pasur ato me vete kur është ekzekutuar duke dalë nga banesa. Nisur nga dinamika e ngjarjes, autorët e kanë pritur viktimën të dilte nga shtëpia dhe në momentin kur ai po lëvizte në rrugicën e ngushtë dhe të errët është qëlluar për vdekje.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur 50 metra nga spitali i Pediatrisë në QSUT, ndërsa 100 metra më larg ndodhet godina e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH).
E gjithë ngjarja është parë nga dy infermiere të cilat kanë qenë duke kaluar në rrugën ku ndodhi atentati. Policia ka shoqëruar tre persona për t’i marrë në pyetje në vijim të hetimeve për zbardhjen e ngjarjes.
Autorët mbeten ende në arrati, ndërkohë që policia ka ngritur postblloqe në akset hyrëse dhe dalëse të Tiranës. Në vendin e ngjarjes ndodhet edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Ardi Veliu.
Pista kryesore që po hetohet është ajo e konflikteve që ka pasur Devi Kasmi në të kaluarën. Report Tv mëson se viktima ka qenë i dënuar në vitin 2010 për falsifikim dokumentesh. Fakti që ai mbante dy armë zjarri pistoletë me vete tregon se Kasmi i druhej një atentati ndaj tij.
Diskutime rreth kësaj post