Është arrestuar personi i dyshuar si autori i atentatit të kryer këtë të shtunë me armë zjarri në mes të Shkodrës, ku mbetën të plagosur 3 persona.
Burime policore bëjnë me dije se në pranga ka rënë shtetasi Aurel Ahi, 25 vjeç dhe banues në lagjen “Guerrile” të Shkodrës.
Sipas burimeve, Ahi është arrestuar në qytetin e Krajës në Malin e Zi, ku ishte arratisur pak pas kryerjes së atentatit, falë shkëmbimit të fotove sinjalistike mes policive të dy vendeve.
Tani pritet që i ndaluari të dërgohet në një nga komisariatet e policisë së Shkodrës, për t’u verifikuar dhe shpallur zyrtarisht i arrestuar.
Ndërkohë, sa u takon motiveve të atentatit të ndodhur përpara teatrit “Migjeni”, hetuesit nuk kanë hedhur ende dritë, por dyshohet që shkak të jetë bërë një debat i ashpër por për motive të dobëta mes autorit dhe shënjestrës së tij, shtetasit Dion Lisi.
Familjarët e të plagosurit, të marrë në pyetje nga policia kanë deklaruar se djali i tyre nuk ka pasur ndonjë përplasje së fundmi. Ndërsa familjarët e autorit kanë thënë se ditët e fundit Aureli kishte shfaqur shenja agresiviteti për motive ende të paqarta.
Diskutime rreth kësaj post