Ish-kreu i Bindjes Demokratike Astrit Patozi, ka komentuar deklaratën e ish-kryeministrit Sali Berisha ku foli për largimet e kryedemokratit në 2017. Ai tha se Berishës i ka vajtur mundi dëm, pasi disa “të lënduar” gati e kanë harruar fare atë histori.
Postimi i Patozit:
“HALLALL TË GJITHA, VETËM MOS NDALONI!
Me tha dikush se Sali Berisha paska shprehur mbrëmë në një dalje televizive mërzinë dhe keqardhjen e tij të thellë që Lulzim Basha ekzekutoi politikisht pa gjyq disa prej nesh në vitin 2017.
Mendoj se i ka vajtur mundi dëm, pasi disa “të lënduar” gati e kanë harruar fare atë histori, ndërsa disa të tjerë ndoshta e kanë falur “gjakun”, sepse koha bën të vetën për të gjithë. Pavarësisht, nëse ata kanë qenë bashkë apo jo atë ditë, kur kanë tërhequr këmbëzën, kjo nuk ka asnjë vlerë, pasi ky debat e ka humbur sot fare kuptimin.
Me ne besoj janë në rregull që të dy mjafton ta vazhdojnë derisa t’i nxjerrin fundin këtë gjyqin publik se kush prej tyre ka bashkëpunuar më shumë me Edi Ramën. Sepse nuk ka gjë më të bukur në këtë botë të sodisësh se si shpikësit dhe shfrytëzuesit më të mëdhenj të dogmës staliniste për ta hedhur gjithmonë kundërshtarin në prehrin e armikut të jenë viktima të krijesës dhe shtysës së vet më të rëndësishme për të mbijetuar në politikë.
Por një këshillë do t’jua jepja, po të ma pranonin. Janë që janë duke u përleshur se kush do të jetë mashkulli dominues i tufës, të mendojnë edhe për ndonjë gjë tjetër, kur të mbarojë lufta, sepse sikur u lodhën njerëzit 31 vjet me këtë përrallën e gatshme të tradhtisë, që përdoret pa doganë sa herë ka konflikt brenda gardhit. Sepse është njësoj si të shohësh njerëz që ndeshen me shpata, ndërkohë që bota është në mes të luftës së yjeve. Kaq të vjetër dhe pa fantazi ngjajnë.”-shprehet Patozi.
Diskutime rreth kësaj post