Ish-drejtuesi i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ka komentuar zhvillimet e fundit politike ku kryeministri Edi Rama bëri publik ditën e sotme kabinetin e ri qeveritar.
Patozi me ironi shkruan se do të ishte më mirë që në Kuvendin e Shqipërisë të kishte vetëm 2 deputetë, kryeministrin dhe udhëheqësin e opozitës.
Postimi i plotë i Astrit Patozit:
“PO IA MBËRRIJMË ME SHPEJTËSI ASAJ DITE
Pak muaj pasi kishim humbur zgjedhjet e vitit 2013 paraqita në parlament nevojën jetike për çbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës, të cilat, sipas meje, ishin përgjegjëse për degradimin e frikshëm të politikës dhe përqëndrimin e të gjithë pushtetit në pak duar.
Çudia ishte se sekëlldi më të madhe fjalët e mia shkaktuan në rreshtat e opozitës, ku në bashin e vendit spikaste bashkautori i dhe bashkarkitekti i tyre Sali Berisha. Të cilit me siguri i dhimbsej krijesa e vet, edhe pse nga fjala nuk është se vjen gjë e keqe.
Nuk e di si është ndjerë ai, kur gati 8 vjet më vonë, si të ishte zgjuar nga një letargji polare, mbi ndryshimet kushtetuese të Rama-Berishës u vërsul edhe Lulzim Basha. Por kjo ndoshta nuk ka ndonjë rëndësi të madhe tani, kur në skenë kanë dalë halle më të mëdha.
Mbaj mend që mes të tjerash kam thënë atë ditë se kështu siç po katandiset përfaqësimi politik në Shqipëri, për shkak të kryetarokracisë, parlamenti nuk do të ketë më asnjë vlerë. Madje, për të kursyer shpenzimet dhe energjitë e shpenzuara kot, do të ishte më mirë që në Kuvendin e Shqipërisë të kishte vetëm 2 deputetë, kryeministrin dhe udhëheqësin e opozitës. Por ajo që atëherë tingëllonte si satirë therëse, sot nuk ngjan më të jetë e tillë, pasi, me sa duket, po ia mbërrijmë me shpejtësi asaj dite.
Ka pasur kaq shumë lajme për heqje dorë nga mandati këto kohë, saqë po krijohet idea sikur të bëhesh deputet është turp. Dhe nuk mbaron këtu. Jo thjesht se gojët e liga thonë se ky është një proces i gjatë, që do të vijojë pa u ndalur edhe me të tjerë.
Mjafton të shikosh trupat politike të dy partive kryesore, të cilat sot janë diçka mes dekorit memec dhe një skuadre shërbyesish, që duhen vetëm për të freskuar liderin. Dhe e gjitha në një sintoni të plotë, në të dyja krahët, që e bën edhe më të rëndë gjendjen, duke e përforcuar bindjen se janë dy gjysmat e të njëjtës mollë të kalbur. Nuk po dua t’i besoj perceptimit kaq shumë të përhapur se e gjitha është frut i një marrëveshje të pistë për të ruajtur statuskuonë. Më mjafton idea e parimit të enëve komunikuese.”-shprehet Patozi.
Diskutime rreth kësaj post