Nga Mero Baze
Ka një reagim mbarëpopullor në Kosovë kundër disa gazetarëve që ishin në panelin përballë Edi Ramës në “Klan Kosova”, një natë më parë. Një pjesë e kanë konsideruar debatin një duel për “jetë a vdekje” mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe një pjesë tjetër, që në fakt është një shumicë e madhe në Kosovë, të cilët janë realisht mbështetës të idesë se nuk janë në luftë me Shqipërinë, janë gëzuar që Edi Rama ka qenë fitimtar. Pjesa tjetër që kanë pritur të fitojnë si “kosovaristë”, janë të dëshpëruar që nuk ia kanë dalë dot dhe fajësojnë pa lidhje gazetarët. E gjitha është një qasje qesharake që nuk ka të bëjë me gjashtë gazetarët, dhe as me Edi Ramën, por me atë çfarë është mbjellur artificialisht javët e fundit në Prishtinë, në raport me Tiranën.
Unë nuk gjeta ndonjë gabim të gazetarëve kundër Edi Ramës. Ata ishin aty për të pyetur dhe e pyetën, ndërsa ai ishte për t’u përgjigjur dhe u përgjigj.
Nuk e di kush rreh gjoksin se do kishte bërë pyetje më të forta dhe do ta kishte hutuar Edi Ramën, por di t’u them nga përvoja ime, që s’kam lënë gjë pa bërë kundër tij, se nuk kishte për t’u hutuar apo kapur ngushtë edhe sikur të kishit menduar pyetjen më të zezë.
Problemi real i atij debati nuk ishin as gazetarët, as Edi Rama, por përfshirja fallco e opinionit publik me një konflikt që nuk ekziston dhe mbi të gjitha, me një problem që nuk ka ekzistuar me vizitën e Edi Ramës në Beograd. Dhe aty ku s’ka problem real, nuk ka as debat real dhe as të humbur apo të fituar.
Histeria, njësoj si në rastin e mbarsjes artificiale të saj javën e shkuar, ka të bëjë me faktin se shumica e qytetarëve të Kosovës, praktikisht nuk e pranojnë falsitetin e “kosovarizimit”, dhe janë ndjerë të çliruar që dikush e artikuloi qartë këtë. Këtu s’ka lidhje fare çështja se si do ta mbronin gjashtë gazetarë një kauzë që nuk ekziston.
Nga ana tjetër, më agresive po tregohet ajo pakicë e shoqërisë së Kosovës që ka qenë e përdorur politikisht në këtë debat dhe ka menduar ta fitojë atë në një duel me Edi Ramën. Kjo është një betejë e padrejtë, e pabarabartë, e pandershme dhe e pacipë. Gjashtë gazetarë të Kosovës, që për mua ishin të gjashtë në rregull me çfarë pyetën dhe çfarë dëgjuan, nuk mund të bëhen heronj të një çështje të vdekur dhe të shpikur për interesa politike. Beteja dhe stuhia kundër vizitës së Edi Ramës në Beograd u nxit më së shumti nga Tirana, nga kundërshtarët e tij, duke gjetur një shtrat politik në Kosovë, dhe u zbukurua me iluzionet kosovariste që qarkullojnë për qejf në Kosovë.
Pikërisht kjo pjesë e ka perceptuar këtë debat si duel dhe është e dëshpëruar që e ka humbur. Shumica e ka përjetuar si fund i një beteje dhe ndjehet e çliruar, pasi askush nuk ka humbur asgjë.
Edi Rama ka plot mangësi në formimin e tij si Kryeministër, por jo si polemist apo publicist. Këtu ai është një “kalë race”, dhe jo një “gomar”. Ai është një debatues mendjehapur, i lexuar dhe i pashpirt, për të arritur me çdo kusht sukses në debat. Është një perceptues i aftë i kundërshtarit dhe një peshues momenti, i fuqisë së atij që ka përballë. Nuk është aq kollaj t’i biesh gjoksit, duke fajësuar gjashtë gazetarë që se kishin parë kurrë nga afër, se nuk kanë mundur ta “shtrijnë përtokë” atë. Jo në këtë çështje që ai është në anën e drejtë të debatit, por dhe kur ka pak të drejtë, siç ndodh shpesh në Shqipëri ku qeveris, ai arrin t’ia dalë. Biles dhe me ne që e njohim me rrënjë e dhëmballë.
Por që t’i kthehemi dhe njëherë debatit në “Klan Kosova”, duhet të themi pa mëdyshje se, Edi Rama nuk është fitimtar i atij debati, por përfaqësues i një çështjeje të drejtë, e cila nuk kishte nevojë për debat. Gazetarët përballë tij po ashtu nuk janë të humburit e atij debati, pasi ata nuk përfaqësonin aty ndonjë akuzë kundër Edi Ramës, por ngritën disa pyetje të atyre që kishin sajuar betejën kundër Tiranës në Prishtinë, për nevoja politike. Dhe nuk është se e humbën ndonjë betejë, por u sqaruan.
Shpërthimi kundër tyre është i padrejtë dhe i paarsyetuar, pasi nuk vjen nga ata që e kanë humbur realisht këtë debat, por nga ata që nuk e kanë duruar dot këtë debat me të drejtë. Dhe ata që nuk e kanë duruar dot këtë debat, janë shumica e shqiptarëve të Kosovës, të cilët më së shumti thonë “boll” pas debatit se kanë gjetur veten e tyre, dhe jo se kanë diçka me gazetarët. Ata ishin në punën e tyre, në të drejtën e tyre për të pyetur dhe në detyrimin e tyre për të dëgjuar përgjigjet.
Por shumica ndihen të gëzuar se ato përgjigje i ka dhënë Kryeministri i Shqipërisë, dhe disa janë të mërzitur se ato përgjigje i ka dhënë Edi Rama dhe të dy palët së bashku, shfryjnë më kot kundër gazetarëve. Në fakt ata nuk janë humbësit e atij debati, por ndriçuesit e së vërtetës fallso të atij debati.
Diskutime rreth kësaj post