Ndryshimet e Kodit Zgjedhor të miratuara një vit më parë parashikojnë rihapjen e 10% të kutive të votimit për zgjedhjet e 25 Prillit, konkretisht do të jenë 519 kuti votimi.
Qëllimi i këtij procesi ka të bëjë me sigurimin e transparencës por dhe krahasimin e rezultatit me të dhënat e dala nga pajisjet e identifikimit biometrik. Në rast se do të ketë mospërputhje, të dhënat do të referohen në prokurori në mënyrë që të bëhen verifikimet e mëtejshme.
Këqyrja bëhet nga KQZ-ja, me përzgjedhje rastësore, ose me kërkesë të palëve të interesuara, me përcaktim. Pavarësisht se kush ka marrë nismën për këqyrjen, procesi realizohet nga personeli i KQZ-së në seancë publike, në të cilën ftohen të marrin pjesë kërkuesi dhe përfaqësuesit e partive parlamentare në KQZ.
Procesi regjistrohet në video dhe videoregjistrimi ruhet në arkivin e KQZ-së.
Por kjo nuk është hera e parë që pas zgjedhjeve të 25 Prillit do të kemi rihapje kutish. Gjatë shqyrtimit të ankimimeve të PD dhe LSI, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve bëri rinumërim të pjesshëm për qarqet Berat dhe Durrës, ndonëse nuk pati asnjë ndikim në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë e ka certifikuar rezultatin përfundimtar si dhe ka shpërndarë mandatet për 140 deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë.
Diskutime rreth kësaj post