Nga: Dritan Hila
Berisha dhe pas tij Meta kanë premtuar që të presim shtatorin se do të jetë muaji i revolucionit.
Ngjan si një film mediokër horror, ku ti e di se pas kërcitjes së derës fshihet zombi dhe gjithashtu e di si përfundon filmi.
Asgjë e re nuk do të ndodhë në shtator. I kanë provuar të gjitha që tre vjet më parë. Dolën nga Parlamenti, sulmuan Kryeministrinë, sulmuan Policinë dhe në fund bënë një vrimë në ujë, humbën në 25 prill.
Thanë që nuk do t’i njohin zgjedhjet dhe si shuplakë u erdhi non-grata. Pastaj u futën me një këmbë në Parlament.
E çfarë do të bëjnë në shtator që nuk e bënë në marsin që shkoi, e në marsin tjetër para atij që iku? Asgjë më shumë nuk janë në gjendje të bëjnë. Ndjekësit janë të lodhur. Ndjekësit janë të moshuar. Ndjekësve iu ka dalë tulla. Ndjekësit tashmë në vend të dhëmbëve, kanë proteza. Ndjekësit që kanë gjetur rrugës janë të lajthitur e të fandaksur. Kurse udhëheqësit janë të roitur.
Asgjë e re nuk do të ndodhë në shtator. E shumta do sulmojnë Policinë dhe Kryeministrinë, duke i dhënë material Ramës të tallet të enjteve me ta në Kuvend dhe Ambasadat të mbushin raportet për qendrën, se çfarë mjerimi është opozita. Jo se shokët e Ramës janë për t’u pirë në kupë. Por këta janë kur thërret qameti, të nëmur, të damkosur, të përbuzur nga bota mbarë dhe, demode. Demode në veshje, në qethje, në fjalor, në ide. Të panginjur si në ditën e parë, kanë vetëm tahmanë për hajdutllëk. Por kjo nuk të ndihmon të vish në pushtet.
Diskutime rreth kësaj post