Nga Anri Bala
“…Shumë po lodhen, e askund s’po munden me shku”, por ama, një përkthyes që e mundon shqipen deri në dhembje… e kanë gjetur. Tani një shpifësi i ri ka dalë në qarkullim, aty prej çadrës… si zvarranik i vogël, që humbiste si pleshti në lesh dhe nuk binte në sy!
Sinqerisht, edhe ai si “kandidat” i zhgënjyer, si ca e ca të tjerë që u ulën këmbëkryq në bulevard, ka nevojë të rishfaqet pas zhdukjes, e pse jo, të ketë një mision si ushtarë, në frontin e “kësaj beteje titanike”, që po bëjnë miqtë e tij, për t’i shpëtuar “rrebeshit” të drejtësisë. Por, “për dreq” ishte tejet e vonuar, e përçudnuar, kauza e kapur kaq keq nga bishti, për të ngjallur atë që ka vdekur.
Si në të gjitha herët, e njëjta histori me të njëjtën fasadë mashtrimi: “Lajm bomb… sensacional… superskandal… mbani vesh o njerëz… se do t’iu tregojmë prova të reja, që as hetuesit italian nuk i kanë”… por i kanë portalet ordiner, që i hedhin në tregun e shpifjes, për tu kapur nga shpifsat me çimka në vesh dhe në xhep.
Kënga e kukuvajkave, që po dëgjojmë çdo ditë: “Hajduti” që nuk merr para, paguan 20 milion euro për të vjedhur… me Audi të blinduar që harxhon benzinë sa një vapor… ministër, kryeministër… gjerdani, kollani dhe timoni… Arsen Lypeni që i vodhi zgjedhjet qeverisë së Nokës dhe Berishës”, na u neverit?!
A ka njeri që e beson, se pesë trafikant nga Vlora kishin paguar miliona euro, për të blerë zgjedhjet e 2013-s?! A ka njeri që mund ta besoj, se kur Lazarati Lulëzonte dhe ishte pjesë e krimit të mbjelljes dhe vjeljes së drogës, nuk paguante haraç tek Basha e Berisha, nëpërmjet sejmenit Dasho Aliko?!
Për të mos vazhduar me pyetje retorike, që janë pafund dhe përgjigjet i di edhe një fëmijë filloreje, të gjitha këto na kujtohen, kur shikojmë, se sa qesharake është lufta që zhvillohet në emër të opozitës, nga “kriminelë që na duan të mirën”!
Nuk na intereson fare, se si do të vazhdoi tullumbacja “Tahiri dhe shokët e tij”, por jemi të bindur nga ato që shikojmë dhe dëgjojmë, se do shfryhet shpejt nga drejtësia e vendit fqinj dhe ndoshta do të ketë dhe persona përgjegjës, që ndërtuan një “varkë shpëtimi me dru të kalbur”.
Por, më shumë jemi tepër të shqetësuar, se si po degradon një çështje, që ishte si flamur piratësh për opozitarët, duke paguar dhe mashtruar gjithfarë fyelli pa vrima, që nuk nxjerr asnjë tingull përveç fishkëllimës.
Është shumë e rëndë dhe e rrezikshme degradimi dhe degjenerimi i opozitës, që duam apo nuk duam ne, po ndodh me një shpejtësi marramendëse. Tashmë ajo është kthyer në objekt amorf, pa formë, ide, qëllim, pa kauzë dhe politikë frymëzuese opozitare, duke ruajtur vetëm emrin… si relike historike.
Cilido personazh politik, publik, Vip apo Uriah Hip, që mendon se opozitarizmi i një vendi pa opozitë, ngjallet duke e dërguar atë (opozitën) çdo ditë në vendin e saj të krimit pa ndëshkim, gabon rëndë, sepse vetëm është duke e varrosur pa ceremoni mortore.
Ndaj, duhet të largohen një herë e mirë nga fronti i shpifjes në emër të opozitarizmit! Këta shpifsa, nuk e dinë akoma ku janë dhe përballë kujt janë, një populli inteligjent, të sprovuar për të duruar… por jo për tu gënjyer.
Fantazitë dhe historitë e sajuara, që duke i përsëritur në variante të ndryshme, për të na bindur se janë të vërteta, nuk janë “ushqim” që përtypet lehtë nga “të uriturit” për drejtësi, barazi dhe mbushje barku me bukë.
Mashtrimet dhe gënjeshtrat e stisura keq, nuk janë oksigjen për të mbajtur shpirtin e revoltës gjallë, por helm për t’ia bërë vdekjen të rehatshme dhe të shpejt… të sëmurës opozitë.
Ndërsa çimkat dhe çimkaxhinjëve u ka ikur koha dhe nuk mund të prodhojnë asgjë, veçse neveri kur përdoren, e si përdoren, për ato që i përdorin!
Ndaj ka ardhur koha, që ky vend, të kërkoi një zgjidhje për të patur një opozitë të re dhe jo një kufomë që degradon çdo ditë dhe qelb vendin me erën e saj të rëndë!/Zathur.net
Diskutime rreth kësaj post