Autori dhe poeti i madh shqiptar, Jorgo Papingji ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare.I dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh”, Papingji është i njohur për këngët e tij të shumta që morën pjesë në Festivalin e Këngës.
Papingji është autor i 5 këngëve fituese në “Festivali i Këngës”, njëra prej të cilave ka marrë pjesë edhe në Festivalin Evropian i Këngës në vitin 2014.
Jorgo Papingji ka shkruar mbi 4000 këngë.
Jorgo Papingji është një nga emrat më përfaqësues të muzikës shqiptare, qoftë popullore, të përpunuar apo asaj të lehtë, ku me anë të teksteve të shumta, të shtrira në kohë prej dyzet e ca vitesh në të gjitha Festivalet e RTSH-së dhe në audicionet e tjera muzikore për të rritur e fëmijë, ka krijuar një profil krejt të veçantë poetik e artistik.
Fjalët e teksteve të tij kanë një komunikim të gjerë me shikuesit e shumtë, në të katër anët e Shqipërisë dhe të botës shqiptare, kudo ku flitet shqip, ku emri i tij është një emër i mirënjohur e i nderuar, që iu thotë aq shumë adhuruesve të këngës, në të gjitha moshat dhe nivelet e shoqërisë shqiptare.
Tekstet e tij të kompozuara nga kompozitorë të shquar dhe kënduara nga këngëtarë e këngëtare sharmante janë bërë hite, sidomos disa këngë të mirënjohura festivalesh dhe ciklet e këngëve për fëmijë, ku stilizohen në mënyrë poetike lojërat e shumënjohura fëmijërore.
Jorgo Papingji ka mbaruar studimet e larta për shkenca ekzakte (matematikë-fizikë) dhe ka qenë një mësues i pasionuar dhe drejtor në disa shkolla në Tiranë e gjetkë, por kënga e rrëmbeu në krahët e saj të lehtë dhe e shpuri drejt një ëndrre të guximshme.
Diskutime rreth kësaj post