Një nga dy të arrestuarit si vrasës të biznesmenit Memli Begalla, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 14 shkurtit në Tiranë ka qenë efektiv i Policisë së Shtetit. Gazeta Shqiptare mëson se Ardian Serezit, u kap në shkurt të 2014 me 1 ton drogë.
Në atë kohë, gjatë operacionit “Ujëvara” u shpallën në kërkim dy organizatorë të këtij trafiku, të cilët ishin njëri nga Lazarati dhe tjetri nga Tepelena. Sipas hetimeve grupi kriminal përdorte dy fuoristrada për transportin e marijuanës.
Nga hetimet e asaj kohe rezulton se droga dilte nga Lazarati në drejtim të Tepelenës. Më pas droga magazinohej në Tiranë, për tu nisur drejt Italisë.
Akuzat e PD: Serezi punon në Polici, i afërt me Tahirin
I ndaluari nga Policia e Gjirokastrës me një ton marijuanë, me destinacion Italinë, është një punonjës i Policisë së Shtetit, i emëruar nga Rilindja, me precedentë penalë dhe njeri i afërt i ministrit të Brendshëm. Ai njihet për raportet e ngushta që ka me Tahirin, veçanërisht në fushatën e fundit elektorale, ku shërbente edhe si shoqërues i ministrit të Brendshëm.
Hetimet për vrasjen
“Autorë të dyshuar të ngjarjes së ndodhur, ku u vra me armë zjarri shtetasi Memli Begalla, janë shtetasit Denis (Alban) Demiri, 43 vjeç, banues në Tiranë dhe Ardian Serezi, 49 vjeç, banues në Tiranë”, bëri të ditur drejtori i policisë së Tiranës, Kastriot Skënderaj.
Nga veprimet e dokumentuara, rezulton se Denis Demiri ka kryer ekzekutimin e Memli Begalla. Dyshohet se pista kryesore ku janë fokusuar hetimet është ajo e borxheve që nuk kishte shlyer viktima. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një automjet me targa të huaja, me të cilin autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes. Gjithashtu është sekuestruar një automjet në pronësi të shtetasit Denis Demiri, si dhe 9 telefona celularë.
Diskutime rreth kësaj post