Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako doli në një deklaratë për mediet pak pas mesditës së të dielës, ku dha më shumë informacione mbi arrestimin e të dyshuarit kryesor për vrasjen e ish-policit Artan Cuku.
Sipas asaj që deklaroi Çako, në përfundim të një pune intensive hetimore nga strukturat për hetimin e krimeve të rënda, ekzekutimi i urdhrit të ndalimit është bërë ditën e shtunë, më 10 qershor, ndaj të dyshuarit për vrasjen e kryer më 8 prill.
Autori i dyshuar i vrasjes së ish-oficerit të policisë është Mikel Edmond Shallari, i vitlindjes 1993, lindur në Kuçovë dhe banues në “Qytetin Studenti” të Tiranës.
Megjithatë, procedurat hetimore nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë, tha më tej Çako, për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje kriminale.
“Roli i Mikel Shallarit është ekzekutor në këtë ngjarje. Dyshohet se ka edhe persona të tjerë bashkëpunëtorë, të shpallur në kërkim, roli i të cilëve do të përcaktohet më vonë”, tha kreu i Policisë së Shtetit.
Provat e administruara deri në këtë moment janë të konsiderueshme, por vijon puna për dokumentimin e bashkautorëve dhe sqarimin e motiveve të këtij krimi.
Diskutime rreth kësaj post