Agjentët e Çështjeve të Brendshme dhe ata të policisë kriminale pranë komisariatit numër 1 në Tiranë kanë vënë në pranga pasditen e sotme një efektiv të Gardës së Republikës.
Burime policore zyrtare bëjnë të ditur se në pranga ka rënë nënoficeri Leard Xhika, për veprën penale të “përndjekjes”.
Sipas burimeve, arrestimi i tij u krye pas denoncimit të shtetases me inicialet E.L, pranë komisariatit numër 1, për përndjekjen që ai i kishte bërë për një periudhë 5-mujore.
Përndjekjen ndaj kësaj shtetaseje, nënoficer Xhika e bënte duke u paraqitur në ambjentet e frekuentuara nga vajza, si në punë, pranë banesës, ambjente të tjera publike, por edhe me telefon.
Xhika është i martuar dhe me fëmijë.
Ai i bënte presion vajzës duke e ndjekur dhe ngacmuar në telefon që të pranonte një lidhje intime me të.
Materialet në ngarkim të Xhikës i kanë kaluar tashmë Prokurorisë së rrethit të Tiranës, për hetime të mëtejshme.
Njoftimi i SHÇBA
Sot në orën 16:30, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Tiranë, në bashkëpunim me Policinë Kriminale të Komisariatit nr.1, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e Gardës së Republikës, me detyrë trup shërbimi, N/oficer Leard Xhika, për veprën penale të “Përndjekjes” parashikuar nga neni 121/a të Kodit Penal.
Arrestimi u bë pasi shtetasja me iniciale E.L. është paraqitur në Komisariatin e Policisë nr.1 Tiranë dhe në prani të specialistëve të SH.Ç.B.A Tiranë ka kallëzuar se punonjësi i Gardës së Republikës Xhika, në vijimësi, për një periudhë 5-mujore, e ka përndjekur duke i kërkuar me insistim që ata të krijonin një lidhje intime.
Përndjekjen e kësaj shtetaseje, punonjësi i Gardës e ka kryer duke i bërë presion me anë të telefonit si edhe duke e kontaktuar fizikisht atë në vendet e frekuentuara prej saj, si në punë, afër banesës dhe ambiente të tjera publike.
Materialet në ngarkim të tij, i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për hetime të mëtejshme.
Diskutime rreth kësaj post