Ish-deputeti grek i Agimit të Artë, Christos Pappas, i njohur edhe si një armik i betuar i shqiptarëve, u prangos më 1 korrik pasi ishte fshehur Athinë në shtëpinë e një gruaje 52-vjeçare nga Ukraina. Kanë qenë autoritetet greke që kanë publikuar detaje të reja nga operacioni që çoi në arrestimin.
Sipas njoftimeve që iu bënë dje medias greke, bëhet fjalë për një telefonatë anonime në rajonin e policisë që vendosi në dijeni autoritetet për fshehjen e tij në një godinë në një lagje pranë qendrës së Athinës. Pas kësaj telefonate agjentët u vunë në lëvizje për të kontrolluar dhe survejuar të gjitha lëvizjet në zonë që çuan në prangosjen e Pappas.
Ndërkaq, avokati i ish-deputetit e ka hedhur poshtë planin e arratisjes së Pappas jashtë vendit. Sipas tij, Christos Pappas nuk kishte në plan të shkonte jashtë vendit.
“Ajo që unë di dhe besoj është se ai donte të shmangte dënimin e gjatë”, – tha avokati.
Por mediat greke bazuar te informacionet nga autoritetet flasin për një plan arratisje të Pappas për në Itali, me anije, ose nga Patra ose Igumenica. Sipas policisë, skenarët për arratisjen e tij jashtë Greqisë ishin dy: ose me letra false, ose duke u fshehur në një kamion me mallra, shoferi i së cilit do të ishte në “rrjetin” e mbështetësve të Christos Pappas. Por zbulimi nga agjentët bllokoi planet. Papas është dënuar me 13 vite burg për drejtim organizate kriminale.
Diskutime rreth kësaj post