Kriza në Spanjë u thellua në mënyrë dramatike dhe u shtri përreth kontinentit, pasi Gjykata e Lartë kërkoi burgosjen e 8 ministrave të shkarkuar, të qeverisë katalanase, ndërsa një urdhër arresti u lëshua për presidentin e rajonit, Carles Puigdemont.
Ai bashkë me 4 ministra gjenden në Bruksel. I vetmi që do të gjykohet në gjendje të lirë është Santi Vila, ministër i cili dha dorëheqjen 1 ditë para se të shpallej pavarësia. Masat ndëshkimore të gjykatave spanjolle janë të destinuara të nxisin zemërim në Katalonjë, rajon i cili votoi për pavarësinë në referendumin e 1 tetorit.
Separatistët reaguan menjëherë ndaj lajmit, duke kërkuar mobilizim nëpër rrugë. Me mijëra dolën në shesh, në të gjitha qytetet katalanase, për të denoncuar urdhrat e arrestit. Më e nxehtë situata ishte në Barcelonë, Girona, Badalona, Lleida dhe Tarragona.
Avokatët mbrojtës të ministrave të arrestuar, bënë thirrje për qetësi. “Ata janë shumë të qetë dhe u kërkojnë qytetarëve të Katalonjës, të ruajnë qetësinë dhe të përmbahen nga episodet e dhunshme”, tha Jaume Cuevillas, njëri prej avokatëve mbrojtës.
Ndërkaq përfaqësuesi ligjor i liderit të shkarkuar katalanas, bëri me dije se Puigdemont ka ndërmend të bashkëpunojë me autoritetet spanjolle e belge.
Puigdemont u pa në një kafene në Bruksel, të enjten, por deklaroi se nuk do të kthehej në Spanjë, nëse nuk do të kishte garanci se ai dhe 4 kolegët do të përballeshin me një gjykim të drejtë.
Edhe 5 zyrtarë të lartë të parlamentit katalanas, bashkë me kryeparlamentaren, Carme Forcadell, përballen me të njëjtat akuza, por për shkak të imunitetit, rastet e tyre po shqyrtohen nga Gjykata e Lartë.
Diskutime rreth kësaj post