Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku shprehet se arrestimi i ish-ministrit Lefter Koka është një provë për korrupsionin në aferën e inceneratorëve.
Mirëpo, sipas saj, Koka nuk është i vetëm në këtë akt korruptiv. Nga viti 2018 e deri më tani, nënvizon Tabaku, janë paraqitur prova dhe fakte kompromentuese që nisin që nga ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë e deri tek Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri.
Postimi:
“Korrupsioni një kancer që po vret Shqipërinë!
Tre vite më parë kur ftova në interpelancë ish ministrin Gjiknuri për çështjen e inceneratorëve pakkush besonte se pas saj fshihej një nga aferat më korruptive të Shqipërisë.
Tre inceneratorë të dhënë në mënyrë abuzive dhe kriminale dogjën paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe ndër të tjera shndërruan qytetet nga Tirana në Fier a nga Elbasani në Durrës qytete që mbyten nga plehrat dhe politikanë që pasurohen nga korrupsioni inceneratorëve.
Korrupsioni, shprehej në takimin e këtij viti për demokracinë sekretarja e Thesarit Yellen, është transforimi i pushtetit në para të pista apo paratë e pista në pushtet.
Arrestimi i ish ministrit Koka është një provë për korrupsionin në aferën e inceneratorëve.
Por ndonëse një arrestim për t’u përshëndetur ai nuk është i vetëm në këtë akt korruptiv.
Nga viti 2018 e deri më tani janë paraqitur prova dhe fakte kompromentuese që nisin që nga ish ministri i Financave dhe Ekonomisë e deri tek Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri.
Prova dhe fakte që lidhin edhe Mirel Mërtirin me kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij.
Për të gjitha këto prova dhe fakte ne kemi ngritur një Komision Hetimor që po heton çështjen e inceneratorëve dhe që po përplaset me heshtjen shurdhuese të institucioneve shtetërore dhe atyre institucioneve të tjera bankare që nuk ndjekin procedurat ligjore por kërkesat e Mërtirit me shokë.
Pandëshkueshmëria ka qenë gangrena e madhe e drejtësisë sonë dhe kjo duhet të marrë fund duke i shkuar deri në majë korrupsionit.
Korrupsioni është kthyer në kancerin e shoqërisë sonë duke na rrëzuar të gjitha vlerat dhe parimet mbi të cilat ngrihet një komb i shëndetshëm, duke na prekur dhe shkatërruar çdo institucion të lirë që ngrihet për t’i shërbyer qytetarëve.
Prandaj nuk duhet të ndalet me kaq.
Partia Demokratike sot i tregoi shqiptarëve se denoncimet e saj, kanë qenë të sakta dhe këto arrestime na shtyjnë akoma më tej jo vetëm në punën tonë për të luftuar për një vend më të mirë por edhe në betejën për t’i ofruar shqiptarëve zgjidhjen tonë për këtë situatë.”, ka shkruar ajo.
Diskutime rreth kësaj post