Deputeti socialist, Ben Blushi, deklaroi nga Kuvendi se është e patolerueshme thirrja e ish-kryeministrit Sali Berisha për armatosjen e popullit.
Blushi vuri në dukje se ishte Berisha ai që shkaktoi edhe vitin e mbrapshtë 1997.
“Dua të them diçka seriozisht se sot si qytetar i këtij vendi ndihem i kërcënuar nga ajo që bëtë sot. U bë këtu një deklaratë që nuk mund ta pranoj. Këtë nuk e tha një njeri dosido në rrugë, e tha një ish-President, ish-Kryeministër, një personalitet mirë apo keq në Shqipëri, tha merrni armët kundër kësaj Qeverie. Kam shumë arsye për të qenë kundër kësaj Qeverie, por t’u thuash shqiptarëve merrni armët për t’u mbrojtur është fatale. Dhe këtë nuk e tha një njeri dosido, e tha dikush që e ka bërë njëherë në ’97 dhe viktima të atij viti jemi të gjithë ne”, tha Blushi.
Deputeti socialist i kërkoi opozitës të mbyllë sa më parë debatin e hapur nga ish-Kryeministri për armatosjen e popullit, duke e cilësuar fatal, ndërkohë që ka shigjetuar edhe kryeministrin Rama.
“E ka bërë njëherë, tani kam tre muaj që përpiqem t’u provoj shqiptarëve se ku e çon marrëzia e një njeriu një parti, ky është rasti juaj sot. Për të mbrojtur Saliun po mbroni nevojën se hajde të armatosemi të gjithë. Po mirë, edhe Palokën ka 20 vjet që e njoh, je dakord ti që ai që të shet picat të ketë një pistoletë poshtë picës? Po ti Jozefinë je dakord kur shkon tek parukierja të jetë me pistoletë poshtë banakut, po ky Ristani se e kam pas shok dhe këtë, është dakord që kur hipën në taksi të ketë një pistoletë poshtë sediljes? Për çfarë vendi po flasim?”, tha Blushi.
Duke argumentuar se banda ka pasur dhe do ketë, deputeti socialist theksoi nuk mund të mbrohemi prej tyre duke krijuar banda nëpër shtëpia.
Diskutime rreth kësaj post