Përmes një komunikate zyrtare në faqen e internetit dhe rrjetet sociale, klubi spanjoll i Levantes ka njoftuar blerjen e shërbimeve të sulmuesit shqiptar, Armando Sadiku, kartonin e të cilit e zotëronte deri më sot ekipi polak i Legia Varshavës
Sadiku, i lindur në Cërrik të Elbasanit më 27 maj të 1991-shit, ka firmosur një kontratë deri në qershor të vitit 2020.
Në faqen e internetit të Levantes jepet edhe një përshkrim i shkurtër i lojtarit dhe karrierës së tij sportive. Sadiku ka debutuar në vitin 2008 me Turbinën e Cërrikut, ndërsa një sezon më pas kaloi te Gramozi i Ersekës. Më pas, në sezonin 2010-2011 e bleu Elbasani, për të mbyllur pikërisht në këtë klub aventurën shqiptare e për të bërë kapërcimin e madh drejt futbollit europian.
Fillimisht, Sadiku kaloi te Locarno në Zvicër, në kategorinë e dytë, nga ku u spikat si një futbollist golashënues dhe e kërkuan me radhë Lugano e Zyrihu, po në kampionatin helvet, por këtë herë në atë elitar.
Sadiku debutoi edhe në Kombëtaren e Shqipërisë nën drejtimin e teknikut italian Gianni De Biasi, në sfidën kundër Gjeorgjisë. Mori pjesë gjithashtu në Europianin e 2016-s në Francë, ku shënoi golin e vetëm për ngjyrat kuqezi në këtë kompeticion ndaj Rumanisë.
Futbollisti shqiptar, prej mëngjesit të sotëm do të paraqitet në Ciudad Deportiva de Bunol, për të nisur stërvitjen me ekipin “azulgrana”./a.ç
Diskutime rreth kësaj post