Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka i është përgjigjur ashpër deputetit Erjon Braçe pas akuzave të këtij të fundit.
Kreu i FSHF-së e ka quajtur Braçen i cili njihet si një tifozë i zjarrtë i Partizanit, si një gore që di të nxisë vetëm dhunë.
Sipas Dukës, Braçe kërkon që të shikojë futbollin në një nivel me politikën e cila është më poshtë futbollit.
Postimi i Armand Dukës.
DY FJALË PËR “MUSHKONJËN” QË SHPËRNDAN DHUNË
Jashtë natyrës time, madje dhe jashtë dëshirës personale, por i detyruar nga karrigia që kam dhe në emër të progresit të futbollit shqiptar, dua t’i them dy fjalë deputetit të Partisë Socialiste, të ashtëqujturit tifoz Vip të Partizanit Erjon Braçe, por që në fakt po vërteton përditë se është një tifoz i degraduar i një ekipi dinjitoz si Partizani. Po e bëj këtë, jo se jam i shqetësuar për fyerjet, shantazhet, të pavërtetat që thotë në adresë të Federatës Shqiptare të Futbollit,( Federata në rrugën e saj për ta sjellë futbollin këtu ku është ka pasur shumë mushkonja vërdallë),po për të vetmin fakt, e theksoj të vetmin fakt, se statuset e tij publike, të thëna jo thjesht nga bluza e një tifozi, por nga kostumi i një politikani e parlamentari, janë nxitje e pastër dhune në futbollin shqiptar. Ka shumë politikanë tifozë fanatikë kudo në botë, por të gjithë janë të kujdesshëm dhe për shkak të pozicionit që kanë dhe impaktit që kanë në opinionin publik, që të mos përdorin një gjuhë të tillë si ajo prej rrugaçi e Braçes. Ju kujtoj këtu dhe ish liderin e partisë Demokratike dhe ish Kryeministrin Sali Berisha, i cili kur e pyesnin gazetarët se me kë ishte tifoz, përgjigjej jo pa qëllim “me atë që fiton”. Erjon, futbolli është një sport që luhet në fushë dhe jo në kokën tonë. Futbolli është një sport i burrave me karakter të fortë, që flasin pak dhe luajnë fort, jo i atyre si disa nga ju në Parlament, që flasin shumë dhe nuk bëjnë asgjë. Unë dhe bashkëpunëtorët e mi mund t’i kapërdijmë shpifjet e tua për Federatën, por që të nxisësh dhunë dhe të “erionizosh” futbollin shqiptar siç bën me parlamentin dhe zonën e cila të zgjodhi deputet, këtë jo, këtë nuk e bën dot as me futbollin shqiptar dhe as me Federatën. Dhe a e di pse? Jo se nuk të lejojmë unë dhe bashkëpunëtorët e mi, po për një fakt të thjeshtë: standartet dhe niveli i futbollit shqiptar dhe i organizmave të tij janë shumë e shumë më lart se niveli i poltikës shqiptare. Federata dhe futbolli shqiptar nuk janë Laguna e Karavastasë ku ti fut duart si të duash. Fatkeqësisht, kemi ëndrra të ndryshme: unë ëndërroj që politika shqiptare të arrijë nivelin e futbollit shqiptar, ndërsa ti ëndërron që futbolli shqiptar të arrijë nivelin e politikës.
Duke pasur në subkoshiencë këtë ëndërr regresive, unë mendoj se ti nuk i duhesh as Partizanit si tifoz, gjithashtu mendoj se nuk i duhesh as Parlamentit si deputet. Meqë ra fjala, kam dëgjuar se si në Divjakë, pikërisht, prej sjelljeve të tua dhe gjuhës tënde për herë të parë pas 100 vjetësh ka tifoza të Tiranës. Nuk e di sa kanë ndërruar mendje dhe përkatësinë partiake prej gjuhës tënde, të them të drejtën. Gjithsesi kjo punë nuk më takon ta gjykoj unë, i takon shefave të tu. Unë nuk të ndaloj dot ty të vazhdosh të bësh “goren”, sepse dhe ti vetë, fundja fundit, ja ke pare hajrin rolit të gores në politikë, nuk të ndaloj dot as të jesh mushkonjë, por të jesh një “mushkonjë” që nxit dhe shpërndan dhunë e urrejtje në futbollin shqiptar këtë do të ta ndaloj gjithmonë sa të kem frymë, verbalisht dhe legalisht. Si përfundim, jam i sigurtë që nuk ke ndërmend asnjëherë të vizitohesh te psikiatri, sepse përveç të tjerave, siç thashë dhe më parë deri tani të ka dalë për mirë ky rol. Po gjithsesi, kur të kalojnë helikopterat e Ministrisë së Shëndetësisë për dezifenktimin e mushkonjave në Divjakë, rri dhe ti aty: unë e di shumë mirë, ti nuk do pushosh kurrë së qëni “gore” apo “mushkonjë”, por të paktën të jesh një mushkonjë që nuk shpërndan dhunë, se këtë nuk ta ka për borxh futbolli shqiptar.
Diskutime rreth kësaj post