Ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari, rikthimi i talebanëve në pushtet në Afganistan nuk është thjesht dështim i Amerikës. Në një analizë të situatës, Meçollari tha se humbja e Afganistanit erdhi në radhë të parë si pasojë e mungesës së vullnetit politik në vend dhe korrupsionit në shkallë të gjerë.
“Është humbje, por jo e Amerikës, por e të gjithëve. SHBA kishte rolin drejtues në këtë operacion. Nuk ishte operacion i mirëfilltë ushtarak, ishte operacion për ndërtimin e shtetit. Pra ka qenë bashkëpunim me afganët për ndërtimin e shtetit. Nuk u arrit. Arsyet janë disa: influencat e vendeve të tjera. Por më kryesorja mungesa e vullnetit politik në Afganistan, por në mënyrë të veçantë korrupsioni”, tha ai në studion e lajmeve në MCN TV.
Meçollari tha se tërheqja e SHBA nga Afganistani nuk mund të krahasohet me rastin e Vietnamit.
“Nuk është humbje si Vietnami. Në Vietnam kolapsoi Bashkimi Sovjetik, Amerika synonte moszgjerimin e influencës së tij. Këto janë beteja të vogla në politikën e madhe globale. Kanë efektet dhe influencat e tyre. Situata në Afganistan në kaq vite ishte me humbje dhe shpenzime. Opinioni amerikan u lodh, për shumë vite nuk u pa progres. Korrupsioni është plaga më e rëndë që ka sot Afganistani. Në gjykimin tim nuk fituan talebanët, fitoi korrupsioni”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post