Dy kartonë të kuq me Shqipërinë që e mbylli ndeshjen me Izraelin më 9 lojtarë. Dy 11-metërsha të akorduar për miqtë. Ajo që ndodhi në sfidën kualifikuese në Elbasan Arena duket e pabesueshme, megjithatë arbitri turko-gjerman, Aytekin nuk gaboi në asnjë moment.
Në analizën e moviolës së dy episodeve që vendosën ndeshjen, Sokol Jareci, në postin e shefit të rekrutimit të arbitrave të rinj në Federatën e Futbollit dhe që për një dekadë ka mbajtur stemën e FIFA-s në Shqipëri, sqaron çdo episod.
Për penalltinë e shkaktuar nga Gjimshiti, Jareci shprehet. “Prej 1 Qershorit kanë hyrë në fuqi ndryshimet në rregullore, për ato momente kur ndërhyrjet në zonë penalizohen me penallti dhe ku specifikohet nëse ndëshkimi i lojtarit që shkakton ndërhyrjen do të jetë me kartonin e verdhë apo me kartonin e kuq. Me karton të verdhë, mbrojtësi ndëshkohet nëse shkakton faull, por është në duel për topin, ndërsa masa disiplinore me karton të kuq vjen në momentin kur ka shtyrje, mbajtje apo tërheqje. Ky rregull bën që rasti i Gjimshitit të ishte për karton të kuq. Argumenti për ti dhënë fund çdo debati është i përcaktuar dhe nuk lë vend për interpretime”.
Ndërsa për rastin e Berishës Jareci shton. “Edhe kartoni i kuq i portierit ishte i saktë, duke u zbatuar rregullorja: Nëse ndodh një sjellje e parregullt, gjyqtari ndërpret lojën, e cila nis me masë teknike në vendin ku ndodhi situata. Në rastin e Shqipërisë, kjo ndodhi në zonë dhe pas sinjalizimit të asistentit, arbitri akordoi me të drejtë penallti, ndërsa Berisha u ndëshkua me karton të kuq për sjellje të dhunshme në fushë”.
Diskutime rreth kësaj post