Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi komentoi sot aksionet e fundit të SPAK. Në një intervistë për FaxNews, Pëllumbi nuk la pa ‘thumbuar’ as PD-në dhe zhvillimet e fundit brenda selisë blu.
“Nuk është se forumet e PD sollën diçka të re në lidhje me qëndrimin e PD qoftë për zgjedhjet e 25 prillit, qoftë për aksionin politik që do të vazhdojë në shtator. Zgjedhjet janë certifikuar si brenda vendit ashtu dhe nga faktorët ndërkombëtare. Ne patëm një fushatë shumë të qetë, një ditë zgjedhjeje model dhe një proces numërimi më të mirë të mundshëm dhe një nga më të shpejtët në këto 30 vite. Rezultati i 25 prillit është i qartë dhe ne arritëm objektivin që kemi thënë, mbi 800 mijë vota“, – tha Pëllumbi.
Për sa i përket aksioneve të fundit të SPAK që u finalizuan me arrestimin e Kryetarit të Bashkisë Lushnje, 9 zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme apo ish zv/Ministres Rovena Voda, Arben Pëllumbi u shpreh qartë që PS nuk do të mbrojë asnjë funksionar të PS që mund të shkelë ligjin.
“PS me kënaqësi për vetë impenjimin që ka pasur ndër vite për reformën në drejtësi, sigurisht është e kënaqur që organet e reja të drejtësisë po japin produktet e tyre. Kjo është ajo për të cilën ne jemi investuar. Në qoftë se një funksionar i PS, i çfarëdo lloj niveli, ka bërë shkelje në raport me të gjithë strukturën ligjore që ne kemi, penalisht, privatisht, përgjigjet përpara ligjit. PS nuk i jep mbrojtje askujt, qoftë figurë e rendësishme e saj. PS është një aset kombëtar. Nuk mund të identifikohemi me një, dy apo më shumë individë që kanë bërë shkelje të caktuarta. Prandaj dhe i kemi ngritur këto institucione që këta individë të mos abuzojnë me pushtetin. PS nuk i mbron dhe as ka për t’i mbrojtur këta individë. Cilido që bën shkelje nuk ka për të gëzuar ndonjëherë mbështetjen e PS”, – theksoi ai.
Ndërsa fushatën e 25 prillit e ka cilësuar të suksesshme. Ai tha se përderisa arritën të marrin mandatin e tretë atëherë kjo nënkupton që makineria politiko-elektorale ka funksionuar mirë.
“Në 12 qershor ne kemi mbajtur Kongresin e Jashtëzakonshëm i cili u mor me vendosjen e piketave për 6 mujorin e ardhshëm, pjesë e të cilit është dhe analiza zgjedhore që do bëjmë brenda partisë. E gjithë makineria jonë politiko-elektorale ka funksionuar mirë. Na është dhënë një besim për herë të tretë me 74 mandate. Ne e kemi për detyrë të bëjmë analizat tona për të kuptuar cilat ishin arsyet atje ku fituam që na mbështetën dhe cilat ishin arsyet atje ku humbëm që nuk na mbështetën. Analiza për të bërë edhe ndryshimet strukturore në PS. Po punojmë për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për analizën”, – përfundoi Pëllumbi.
Diskutime rreth kësaj post