Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi ka paralajmëruar zhvillime të reja brenda mazhorancës socialiste.
Kjo e fundit doli fituese në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, duke u rikonfirmuar shumicë dhe marrë plot 74 mandatesh deputetësh, ndërkohë që ditën e sotme rezultatit i këtyre zgjedhjeve dhe çështje të tjera do të jenë pjese e mbledhje së Asamblesë Kombëtare të PS.
Por me më shumë detaje rreth asaj që pritet të ndodhë sot në mbledhjen e Asamblesë dhe situatës brenda Partisë Socialiste, dje ka folur edhe deputeti Pëllumbi. Gjatë një prononcimi për mediat, zoti Pëllumbi zbuloi se në qeverinë e re që do të formohet në shtator, sipas tij, mund të ketë ministër për çdo qark, pra për 12 qarqet e vendit.
“Mendohet të jetë nga një ministër për çdo qark do vazhdojmë ta kemi dhe në të ardhmen. Megjithatë kemi kohë të presim çfarë do të ndodhë. Partia Socialiste është gjithmonë në rinovim në çdo skuadër, ajo ka kërkuar rinovim të projekteve të saj, kjo legjislaturë ka qenë shumë e ngarkuar, kemi pasur një numër shumë të lartë ligjesh. Kemi bërë shumë ndërhyrje në kode dhe besoj që kemi bërë punë mjaft të mira”, – deklaroi ai.
Më tej gjatë fjalës së tij, deputeti socialist, Arben Pëllumbi zbuloi se kryeministri Edi Rama do të mbajë një fjalim në Asamblenë e sotme, ku do flasë për projektet e qeverisë që ai drejton dhe qeverinë e re për Shqipërinë e së ardhmes.
“Ne kemi marrë një mandat shtesë kur të vijë momenti do ta mendoj. Quhet kongres i jashtëzakonshëm për çështje afatesh, por do jetë normal. Asambleja do të nisë me miratimin e Projekt-Vendimit “Për thirrjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm të Partisë”. Rama do të mbajë një fjalim ku do të flasë për Shqipërinë e së Ardhmes. Mendohet të jetë nga një ministër për çdo qark do vazhdojmë ta kemi dhe në të ardhmen”, u shpreh ai.
Më herët, Sekretari Organizativ i PS, Arben Pëllumbi deklaroi se paralelisht me përgatitjet për Kongresin e Partisë, fokusi është përqendruar te qarqet ku sipas tij, PS nuk arriti të përmbushte objektivat e prezantuara në nisje të fushatës zgjedhore, ndërsa theksoi se do të ketë një riorganizim të strukturave.
“Jo kudo performuam ashtu sikurse dëshironim të performonim. Diku ne jemi të pakënaqur me performancën e strukturave tona. Atje ku neve kemi arritur rezultate të pakënaqshme, kryetarët e organizatave nuk kandidojnë më, zgjidhen të rinj”, – nënvizoi deputeti Pëllumbi.
Diskutime rreth kësaj post