Ish-ministri i Financave Arben Malaj ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, por edhe goditjet e Prokurorisë së Posaçme ndaj personazheve të njohur të botës së krimit dhe implikimin e tyre me njerëz të drejtësisë e politikës. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Z.Malaj shprehet se sezoni i ri politik që nis në 2 shtator pritet të jetë shumë i tensionuar pasi zgjedhjet e 2025 janë shumë afër dhe kjo do të bëjë që ambienti politik të jetë i mbingarkuar.
Për ish-ministrin, SPAK duhet mbështetur maksimalisht dhe politikanët të qëndrojnë sa më larg tensionimeve me drejtësinë e re. Teksa ka folur për sulmet e Metës dhe Berishës ndaj SPAK, Malaj tha se një lider politik, duhet të kuptojë agresiviteti akuzues ndaj strukturave të SPAK, e në mënyrë të veçantë ndaj Altin Dumanit, vetëm e përligj fajësinë e tyre dhe nuk e ndihmon. Në fund Z.Malaj komentoi dhe deklaratat e forta të ish-ministrit Arben Ahmetajt në intervistën e tij të fundit televizive.
Z. Malaj, si e vlerësoni situatën politike në vend, në ngjarjet e fundit që kanë ndodhur qoftë në rrafshin politik dhe ato të kriminalitetit, keni një koment iu lutem?
Vlerësoj që është sezon pushimesh, por që politikanët asnjëherë nuk pushojnë pasi duan që nga çdo krahë të përfitojnë, kështu që në këtë aspekt nuk kemi ndonjë ndryshim cilësor. Fillimi i sezonit të ri që do i paraprijë zgjedhjeve, do të jetë i tensionuar. Ambienti politik është i mbingarkuar e për pasojë edhe situata politike në Parlament do të jetë e mbingarkuar, ç’ka nuk ndikon pozitivisht.
-Ditët e fundit, SPAK lëshoi 30 urdhër-arreste ndaj grupeve kriminale, por ajo që u v re ishte implikimi nga radhët e drejtësisë së re, si rasti i zotit Aurel Zarka, ish-kryeprokurori i Vlorës. Si e shihni këtë përfshirje për të dhënë masa lehtësuese ndaj grupeve kriminale?
Nuk dua të gjykoj askënd sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë, konsiderohet i pafajshëm. Por është e vërtetuar, në të gjitha rastet dhe vendet e tjera që krimi i organizuar nuk mund të lulëzojë pa gjetur aleat në politikë, si majtas apo djathtas. Ky është shqetësimi më i madh, pasi nëse kemi korrupsion p.sh. në shëndetësi, në funksione publike të shtetit, ky është një korrupsion horizontal. Ul kredibilitetin e funksioneve dhe shërbimeve të shtetit. Por nëse kemi korrupsion, ku grupe kriminale kërkojnë që të influencojnë vendimmarrjen në Shqipëri, në politikë, kjo është shumë e rrezikshme dhe shpërbërja e saj do të kërkojë kohë, ndaj SPAK duhet mbështetur maksimalisht dhe politikanët të qëndrojnë sa më larg tensionimeve me SPAK, e cila është një strukturë e krijuar dhe e mbështetur nga partnerë strategjik amerikan dhe është përballë një pune shumë të vështirë sepse përhapja e kriminalitetit si në krim, në vjedhje, në korrupsion, duket se është aq masive sa dhe atyre do iu duhet të përzgjedhin rastet më tipike, sesa të arrijnë të hetojnë në kohë të gjitha çështjet që paraqiten para tyre. Hetimet duhet të jenë pikërisht aty ku ka patur korrupsion në sektorët kryesor të vendit.
Në çdo rast sado sporadik të duken, kur konstatohen lidhje të krimit me politikën. Dhe në këtë rast, një meritë i takon dhe bashkëpunimit me strukturat ndërkombëtare pasi gjithçka është bazuar pikërisht te bashkëpunimi me autoritetet belge, Interpolin apo dhe autoritete të tjera. Ky bashkëpunim tregon se për kriminelët do të bëhet gjithmonë e më me vështirë mundësia që të veprojnë në forcën që ata duan, për të nënshtruar shtetin në forcën e tyre kriminale.
-Mendoni se SPAK-un e pret një shtator i ‘nxehtë’, duke goditur dhe sferën politike?
Unë besoj që SPAK, e ka të gjithë autoritetin ligjor dhe profesional, që të qëndrojë larg presioneve mediatike dhe të zbatoj parimin bazë që para ligjit janë të gjithë të barabartë pavarësisht statusit të tyre akademik e shoqëror. Ata janë të gjithë njësoj dhe në këtë aspekt nuk duhet të shihet si një ngjarje me anime.
-Si e patë ngjarjen në Pogradec, a duhet të jepte dorëheqjen menjëherë drejtori i Policisë së Shtetit Rrumbullaku?
Akoma ka dyshime që struktura të ndryshme të shtetit, si Policia, Prokuroria apo Gjykata, nuk kanë bërë mirë punën e tyre. Por ky është një proces që do të verifikohet. Në post si drejtori i Policisë apo të tjerë, janë personalitete nuk tërhiqen apo ndryshohen në rastet e veçanta kur ndodh një vrasje apo një aksident tragjik, por kryesorja është se kur komunikojnë me publikun, duhet të kenë seriozitet maksimal, vërtetësi maksimale dhe të mos shikohet asnjë tendencë për ta zbutur apo manipuluar ngjarjen.
Përplasja e institucioneve, polici, Prokurori, Gjykatë, nuk do të sjell ndonjë gjë, në zbardhjen e plotë të ngjarjes por do të dëmtojë rëndë kredibilitetin publik të tyre e cila është shumë e nevojshme. Policia, nuk mund të jetë efektive nëse nuk ka besimin e komuniteteve, sepse ata e ndjejnë nëse vepron apo jo. E si e tillë, demontohet policia, Prokuroria e Gjykata. Komunikimi mes tyre duhet të ishte vetëm zyrtar dhe jo përgjigje e kundërpërgjigje mediatike.
-Po reagimin e kryeministrit Edi Rama si e komentoni për vrasjen e 42 vjeçarit?
E para, kryeministri duhet të jetë i fundit që duhet të flasë. Ai ka të gjitha atributet kushtetuese që të kërkoj informacion me shkrim dhe kryeministri. E dyta, ai nuk mund të mbajë anë, përderisa ka një proces gjyqësor sepse ndikon pozitivisht ose negativisht. E treta që është shqetësuese, është fakti që është rritur perceptimi në opinionin publik i qeverisë dhe i kryeministrit që në vendin tonë, ka gjithmonë grupe armiqësore ku disa duan të dëmtojnë turizmin e nga ana tjetër që ka struktura që po luftojnë që Shqipëria ta humbas statusin që ka për turizmin. E njëjta gjë dhe në këtë rast, reagimi i kryeministrit kishte të bënte jo më shumë se efiçencën e strukturave të tij por me faktin që ka grupe që duan të nxijnë gjithmonë Shqipërinë.
-Sulmet e Sali Berishës, Ilir Metës dhe bashkëpunëtorëve të tyre ndaj SPAK si i komentoni? Pse ata e akuzojnë drejtësinë se është me regji, kur më të goditurit nga SPAK janë zyrtarët socialistë?
Unë besoj te parimi që nuk ka një vendim përfundimtar që i shpall fajtor nga drejtësia, u jep të drejtën që dhe ata akoma nuk janë ligjërisht të dënuar por konsiderohen të pafajshëm. Këtë status duhet ta përdorin për të drejtat e tyre, në rrugë ligjore dhe sa më pak ta politizojnë situatën me SPAK, aq më shumë dëmtohet në vetvete dhe ai. Një lider politik, duhet të kuptojë se agresiviteti akuzues ndaj strukturave të SPAK, e në mënyrë të veçantë ndaj Altin Dumanit, vetëm e përligj fajësinë e tyre dhe nuk e ndihmon.
-Po deklaratat e Arben Ahmetajt në intervistën e fundit si i komentoni?
Unë kam folur kur të tjerët heshtnin. Ai ka punuar me mua dhe nuk më takon të flas. I vetmi mesazh që kam është se nëse Ahmetajt i rrezikohet familja apo jeta e tij, shteti shqiptar duhet të marrë maksimumin e bashkëpunimit edhe me struktura policore në Zvicër që ne të mos damkosemi me ndonjë krim që bëhet ndaj një ish-politikani, qoftë edhe jashtë Shqipërisë.
Intervistoi Xhoana Vraniçi
Diskutime rreth kësaj post