Ish-themeluesi i PD-së, Arben Imami, me nota kritike, ka komentuar ndryshimet e fundit statutore që u vendosën në mbledhjen e Këshillit Kombëtarë të PD –së. Sipas Imami, debati dhe idetë ishin një hap para, por mbledhja e KK një hap mbrapa. Ndër të tjera Imami, është ndalur edhe tek terri dhe mungesa e transparencës në mbledhjen e Këshillit Kombëtar.
“Nëse nuk ka analizë dhe diskutim në organin më të lartë të partisë, atëherë çfarë mbetet përveç se drejtimit monokratik të partisë”, pyet ndër të tjera Imami. Më tej ish-ministri i Qeverisë Berisha ka treguar se cilat janë hapat që do të ndiqen më tej, me qëllim çlirimin e Partisë Demokratike.
« Hapat e mëtejshëm do të diktohen nga realitetet e ardhshme, e veçanësisht nga ato të pritshme, si dhe nga vendosmëria jonë për ta kthyer PD-në në partinë e madhe të opozitës, shpresën e vendit, partinë që rrëzoi diktaturën, integroi vendin në rrugën europiane, i dha një zhvillim ekonomik etj”, ka thënë Imami.
Intervista
Këshilli Kombëtar vulosi ndryshimet statutore, hap përpara apo çimentim i Lulzim Bashës?
Arben Imami: Në pikëpamje formale, statuti mbetet afërsisht ai që ishte. Pra as para, as mbrapa, në pikëpamje të zhvillimeve politike në PD. Kurse në kontekstin politik të debatit për vendosjen e rregullave më të mira të të bashkëjetesës në PD, të një kulture demokratike, të kritikës që ka mbizotëruar në PD veçanërisht vitin e fundit për rolin e kryetarit dhe të institucioneve brendapartiake, të bashkimit të PD-së së përçarë nga kryetari i saj, të fuqizimit mandej të opozitës dhe veprimit të saj politik kundrejt një qeverie të përfshirë në krim, grabitje, shkallmim të ekonomisë së vendit etj., ky ishte një hap mbrapa. Debati dhe idetë ishin një hap para, mbledhja e KK një hap mbrapa. Nga ana tjetër, nuk shoh ndonjë konsolidim. Përkundrazi, shoh mbyllje. Strukturat e mbyllura janë të përcaktuara për vetëshkatërrim dhe ky nuk është lajmi i mirë.
Komenti juaj për mungesën e analizës dhe bllokimin e fjalës së lirë në KK?
Arben Imami: Në KK u paraqitën dy propozime. Së pari, KK të bënte analizën e zgjedhjeve dhe gjendjessë partisë dhe rolit të saj në opozitën e dalë nga zgjedhjet e vitit 2017. KK nuk është mbledhur asnjëherë në katër vjet dhe do të ishte e arsyeshme që të shqyrtonte, madje ky është funksioni statutor i tij, punën e bërë. U votua: Nuk ka analizë!!! Së dyti u kërkua të hapej diskutim në parim për statutin, procedura normole e shqyrtimit. U votua, gjithashtu: Nuk ka diskutim!!!
Nëse nuk ka analizë dhe diskutim në organin më të lartë të partisë, atëherë çfarë mbetet përveç se drejtimit monokratik të partisë?
Ky është modeli i opozitës sot dhe qeverisë nesër, model i cili duhet t’i kundërvihet regjimit autokratik të kryeministrit Rama? Kësisoj opozita nuk jep shpresë, nuk bind se nuk është e të njëjtit model si qeveria. Por z. Basha duket i vendosur ta çojë partinë nga humbja në humbje.
Cilat janë hapat e mëtejshëm?
Arben Imami: Hapat e mëtejshëm do të diktohen nga realitetet e ardhshme, e veçanësisht nga ato të pritshme, si dhe nga vendosmëria jonë për ta kthyer PD-në në partinë e madhe të opozitës, shpresën e vendit, partinë që rrëzoi diktaturën, integroi vendin në rrugën europiane, i dha një zhvillim ekonomik etj.
Një parti të djathtë që i qëndron vlerave dhe traditës së saj dhe që gjithashtu është e aftë dhe e hapur për vetëkritikë e rinovim – por jo nga pozicioni dhe interesi i PS-së dhe platformës sorosiane për të djathtën shqiptare, një parti e aftë për t’iu përgjigjur problematikave të gjendjes së rëndë ku ndodhet vendi, një parti të shpresës se ky vend do të bëhet. Partia Demokratike do të ketë jetë më të gjatë se ky kryetar i saj.
Diskutime rreth kësaj post