Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ka reaguar pas raportit të Moody’s.
Sipas tij, ky raport tregon se ekonomia shqiptare është në rrugën e duhur.
“Konsolidimi fiskal dhe reformat në cdo sektor, arritjet e ekonomisë, edhe sipas Moody’s.
Kompania prestigjioze e vlerësimit të riskut të kreditit ka ruajtur vlerësimin e saj B1 stabël për ekonominë shqiptare, duke konfirmuar kthesën e madhe të shënuar në tre vitet e fundit, aspak të lehtë por vendimtarë për ekonominë e vendit në vitet e ardhshme.
Moody’s konfirmon së nga tremujori i parë 2014 e në vazhdim, ekonomia shqiptare ka shënuar një trend rritës dhe përshpejtues, duke zgjeruar bazën, të mbështetur nga konsumi i familjeve dhe investimet dhe se projeksionet tona dhe të partnerëve ndërkombëtarë për një rritje 3.4% në 2016 e më tej 3.8% në 2017, janë mëse realiste.
Përpjekjet për nxitjen e punësimit reflektohen gjithashtu në raport, i cili thekon se “pjesëmarrja në forcën e punës është rritur me 7.9 pikë përqindje duke arritur nivelin 65.8% në tremujorin e dytë 2016, nga niveli i ulët i 57.9% në tremujorin e parë 2014. Ndërsa papunësia ka shënuar rënie me 2.7 pikë përqindje duke zbritur në 15.9% në T2 2016.”
Sa i takon konsolidimit fiskal, raporti thotë drejtpërsëdrejti: “deficiti fiskal ka shënuar një trend përmirësimi që nga viti 2014, ku arriti nivelin 5.2% për shkak të pagimit të detyrimeve të prapambetura të grumbulluara në vitet e mëparshme dhe në vitin 2016 pritet të shënojë 2.5%, nivelin më të ulët në dy dekada!”
Dhë së fundi, edhe një vlerësim domethënës për menaxhimin eficent të borxhit publik: “Rritja e afatit mesatar të maturimit të borxhit në 729 ditë në shtator 2016, nga 360 ditë që ishte në vitin 2011, ka ulur nevojat e qeverisë për huamarrje bruto në 20% të PBB në 2016 nga rreth 40% në 2013”.
Debati emocional për ekonominë ka gjithmonë shifrat përballë dhe shifrat janë kokëforte po aq sa e vërteta. Ne nuk qeverisim me borxh. Borxhi në 2017 do të zbresë në 69.1%. Deficiti, më i ulëti në 25 vitet e fundit. Rritja e pagave dhe pensioneve, me fondin më të madh të akorduar brenda një buxheti, jo me borxh, me reforma, me guxim, me vendosmërinë për ta shkëputur definitivisht vendin nga filozofia e qeverisë së vjetër.
Kemi ende sfida patjetër, por jemi tashmë dukshëm dhe pakthyeshmërisht, në drejtimin e duhur”, shkruan Ahmetaj.
Diskutime rreth kësaj post