Hapet sërish portali për aplikim për maturantët e Tiranës, Durrësit dhe Krujës. Ndonëse një ditë më parë u bllokua sistemi për shkak të fluksit të madh të aplikimeve, Agjencia Kombëtare e Provimeve ka mundësuar vazhdimin e aplikimit për këta gjimnazistë.
Rreth 38 mijë maturantë pritet të aplikojnë në portalin e maturës shtetërore brenda datës 29 korrik, për të ndjekur studimet e larta në universitetet publike dhe jo publike në vend.
Çdo njëri prej tyre mund të aplikojë duke futur të dhënat e tij personale nëpërmjet telefonit nga një qendër interneti, nga shkolla e tij e mesme, apo dhe nga drejtoria arsimore në bazë të rrethit që i përket.
Tirana, meqë ka numrin më të madh të maturantëve, kishte në dispozicion tre ditë për të aplikuar, por për shkak të fluksit të madh ditën e fundit të aplikimit kur u shtua dhe qarku i Durrësit, u krijuan probleme në sistem.
E kontaktuar nga Top Channel, drejtorja e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, thekson se portali vazhdon të jetë i hapur edhe gjatë ditës së diel për gjimnazistët e Tiranës dhe Durrësit, të cilët nuk arritën të aplikonin brenda afatit të përcaktuar për ta.
Sipas zonjës Rezana Vrapi, asnjë maturant nuk do të privohet për të aplikuar, pasi ata të Tiranës të cilët nuk arritën të aplikonin në kohë do të mund të vijojnë sërish ditën e hënë, por tanimë vetëm duke u paraqitur në drejtorinë arsimor të kryeqytetit. Vrapi konfirmon se për këdo maturant që për çdo arsye nuk arrin të aplikojë brenda datës së përcaktuar, portali do të hapet sërish në datat 28 dhe 29 korrik.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, përveç Tiranës dhe Durrësit janë duke aplikuar maturantët e Kukësit, Hasit, Tropojës. Për të vijuar ditën e hënë, me Elbasanin, Korçën, Pogradecin e kështu me radhë sipas drejtorive arsimore të përcaktuara në kalendar. Fituesit e këtij raundi të parë të aplikmit do të shpallen në datën 28 gusht.
Një ditë më pas, fituesit e raundit të parë, ata që dëshirojnë të ndjekin degën që kanë fituar duhet të regjistrohet duke u paraqitur pranë universitetit ku ka fituar. Për këtë ka afat vetëm 48 orë.
Nëse nuk regjistrohet brenda këtij afati fituesi humbet të drejtën e regjistrimit. Por ndryshe nga një vit më parë, nëse fituesi është regjistruar, por nuk do të ndjekë atë degë, atëherë ai mund të çregjistrohet duke u paraqitur sërish pranë sekretarisë së universitetit për të tërhequr dokumentacionin e dorëzuar dhe duhet të presë raundin e dytë për të aplikuar sërish në atë program studimi, ku sipas llogarive që ka bërë mendon se mund të shpallet fitues. Raundi i dytë i aplikimit është përcaktuar 15 deri në 22 shtator.
Diskutime rreth kësaj post