Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe nuk e njeh aplikacionin e lançuar nga vetë selia rozë katër muaj më parë. Në një intervistë televizive, Braçe tha se nuk është pjesë e këtij aplikacioni dhe se nuk e ka idenë se për çfarë shërben. Ai theksoi se për të promovuar punën e tij ka rrjetet e tij sociale, kështu që nuk ka nevojë që t’ia shpërndajë dikush.
“Nuk kam nevojë as t’i bëj like Edi Ramës, as të më bëjë ai mua. Nuk dua like me zor. Nuk bëjnë punë. Nuk kam nevojë të më thotë dikush, nëse diçka është e mirë. E bëj vetë. Nuk është e nevojshme të bëhet propagandë. Njerëzit e kuptojnë vetë. Ne kemi organizata partie. Kemi simpatizantë brenda Partisë. Rrethi i simpatizantëve del nga masa e njerëzve që votojnë. Dhe ne bëjmë një raport. Dhe, këtë e kanë bërë të gjithë, jo vetëm PS. E ka bërë LSI-ja, nga mëngjesi deri në darkë dhe me të punësuar. Jo me anëtarë dhe simpatizantë. E ka bërë edhe PD, e ka bërë edhe me policë, edhe me SHIK, dhe unë e kam vuajtur dhe vetë. Sistemi i patronazhimit funksionon kështu: Ndërtohet një punë. Në x qendër votimi sa familje të mëdha kemi? 20. Kush është njohja jonë në këtë familje? Erioni. Erioni merr përsipër të flasë më këtë familje. Thelbi i asaj bisede me familjen hidhet në letër,”- tha Braçe.
Aplikacioni ‘Aktiv1sti’ u rikthye në qendër të vëmendjes së mediave, katër muaj pasi u lançua kur një databazë me të dhëna nisi të qarkullonte. Fillimisht u raportua se ajo databazë kishte emrat e të gjithë përdoruesve, por më pas, Dosja.al mësoi se bëhet fjalë për një databazë me pagat e punonjësve të institucioneve në Shqipëri.
Diskutime rreth kësaj post