Në Shqipëri, gjykata e posaçme e Apelit vendosi sot të ndryshojë masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish kryeministrit Sali Berisha, nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.
Për zotin Berisha, Gjykata konfirmoi të njejtën masë sigurie, atë të detyrimit për paraqitje dhe ndalim të udhëtimit jashtë vendit. Ish kryeministri duhet të paraqitet dy herë në javë pranë një oficeri të policisë gjyqësore, por ai ka refuzuar ta bëjë këtë deri tani, duke e konsideruar vendimin, në shkelje të kushtetutës. Gjykata dhe Prokuroria e Posaçme, ende nuk janë shprehur se si do të reagojnë ndaj refuzimit të zotit Berisha.
Pas vendimit të sotëm të Gjykatës së Posaçme të Apelit, Genc Gjokutaj, avokat i ish kryeministrit, foli sërish për “një proces politik” duke theksuar se beteja ligjore do të vijojë deri në fund. Sipas tij “vendimi i sotëm ishte një kopje e keqe e vendimit të gjykatës së shkallës së parë. Gjykata sot pati durimin për të dëgjuar, por jo kurajo për të vendosur”, u shpreh zoti Gjokutaj.
Ish kryeministri dhe dhëndri i tij, janë nën hetim për procedurat e ndjekura në rastin e privatizimit të ish klubit sportiv Partizani, mbi truallin e të cilit më pas, u ngrit një kompleks pallatesh, ku zoti Malltezi, u përfshi si aksioner, duke qenë një ndër bashkëpronarët që përfituan nga privatizimi.
Zoti Berisha dyshohet për korrupsion në bashkëpunim, pasi sipas Prokurorisë së Posaçme, ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër ish pronarët e tokës, përmes ndryshimeve ligjore apo vënies së institucioneve shtetërore në shërbim të interesave të dhëndrit. Zoti Malltezi dyshohet po ashtu për korrupsion por dhe “pastrim parash”. Ai ka hedhur poshtë dyshimet e ngritura deri tani, duke folur po ashtu për një proces “me sfond të pastër politik”. Mbi një numër të madh pasurish të paluajtshme dhe llogarish bankare në emër të tij janë vënë nën sekuestro.
Nën hetim ka përfunduar dhe Fatmir Bektashi, ndërtuesi i kompleksit të pallateve që u ngrit mbi sipërfaqen e ish klubit sportive. Masat e sigurisë ndaj tij janë ato të “Detyrimit për paraqitje” dhe “Ndalim i udhëtimit jashtë vendit”, raporton zeriamerikes.
Diskutime rreth kësaj post