Çmimet e apartamenteve në Tiranë po shtrenjtohen vazhdimisht, ndërsa pagat nuk po rriten me të njëjtin ritëm. Sipas Bankës së Shqipërisë, që nga viti 2013-2014, çmimet mesatare të apartamenteve janë rritur me rreth 43% deri në fund të vitit 2020.
Çmimi mesatar i një metri katror në kryeqytet në fund të 6-mujorit të parë 2021 arriti në 1102 euro/metër katror, sipas indeksit të “Keydata Albania”, një publikim nga Çelësi Media Group. Çmimet luhaten nga rreth 700-800 euro/m2 në periferi deri në 4 mijë euro/m2 në kullat në qendër të qytetit.
Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se për të njëjtën periudhë (2014-2020) paga mesatare në vend është rritur me rreth 18% në vlerë nominale (nga 45.5 mijë lekë në muaj në 2014-n, në 53.7 mijë lekë në muaj për 2020-n). Por e indeksuar me inflacionin mesatar vjetor, rritja reale e pagave është rreth 5% (sipas përllogaritjeve të Monitor, bazuar në të dhënat zyrtare për inflacionin nga INSTAT).
Teksa pagat mesatare mujore reale janë rritur me vetëm 5% në 6 vitet e fundit, ndërsa çmimet e apartamenteve u shtrenjtuan me 40%, kjo ka ulur ndjeshëm fuqinë blerëse, duke bërë që një familjeje apo një individ shqiptar të duhet të punojë shumë më tepër se më parë, në mënyrë që të arrijë të blejë një shtëpi.
Një individ me pagën mesatare 45.5 mijë lekë në vitin 2014 i duhej të punonte rreth 50.6 vjet për të blerë një shtëpi 90 metra katror, e llogaritur me çmimin mesatar të vitit përkatës. Gjashtë vite më vonë, një individ me pagën mesatare 53.7 mijë lekë do të duhet të punojë rreth 69.3 vjet, ose gati 19 vjet më shumë (pa llogaritur marrjen e një kredie, krahasimi është bërë për të treguar se sa ka rënë fuqia blerëse nga shtrenjtimi i lartë i banesave në raport me ritmet e rritjes së pagës reale).
Në vitin 2014, paga më e lartë në vend ishte ajo e një drejtuesi komercial, me rreth 123 mijë lekë në muaj, ndërsa apartamenti më i shtrenjtë ishte rreth 2500 euro/m2. Për të blerë një banesë 100 metra katror, këtij drejtuesi do t’i duheshin 62 vjet punë. Në fund të 2020-s, paga më e lartë në vend ishte 152 mijë lekë, ndërsa apartamentet më të shtrenjta kanë arritur në rreth 4 mijë euro/m2. Si rrjedhojë, ky drejtues do të duhet të punojë 90 vjet për të blerë apartamentin më të shtrenjtë në kryeqytet, ose rreth 28 vjet më shumë
Vitet e fundit, rritja e shpejtë e çmimeve të apartamenteve është amortizuar disi nga zhvlerësimi i monedhës së përbashkët (shtëpitë kuotohen kryesisht në euro, që ka rënë nga rreth 138 lekë në 123 lekë) dhe nga ulja e normave të interesave për kredinë hipotekare në banka (nga 5.5%, në rreth 3.6%).
Apartamentet në Tiranë, njësoj si në Milano
Indeksi i pasurive të paluajtshme i publikuar nga Numbeo, sistemi i të dhënave (database) më i madh në botë për koston e jetesës, që mat raportin e çmimeve ndaj të ardhurave për pasuritë e paluajtshme, e vendos Tiranën ndër më të shtrenjtat në Europë.
Numbeo rendit 267 qytete në botë, sipas raportit të çmimit mbi të ardhurat, që është treguesi më i mirë për të matur përballueshmërinë për blerjen e një apartamenti (sa më i ulët ky indeks, aq më mirë është).
Për kryeqytetin shqiptar, ky indeks është 16.2, njësoj si në Milano. Ndërsa apartamentet në Tiranë, sipas standardit të fuqisë blerëse janë më të shtrenjta se në Vjenë (12.9), Madrid (12.5), Stamboll (12.1), Zagreb (12.5), Stokholm (13.3) etj.
Më e shtrenjta në Europë është Moska (21.8), Parisi (19.7), Beogradi (19.3) etj.
Të dhënat e përpunuara nga Monitor bazuar në inflacionin dhe formulën e vlerës në kohë të parasë.
Të dhënat e përpunuara nga Monitor bazuar në inflacionin dhe formulën e vlerës në kohë të parasë./Monitor
Diskutime rreth kësaj post