Në një konferencë me gazetarët, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka komentuar vendimin e kryeministrit Edi Rama për të anuluar pjesëmarrjen e delegacionit shqiptar në mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Kosovës, që do të zhvillohej sot në Gjakovë.
Berisha u shpreh se “Rama anuloi takimin me urdhër nga Beogradi”, duke bërë shkak për këtë refuzimin e Kosovës për të diskutuar veçmas në një format të prezantuar prej tij, për draftin e Asociacionit, që ish-kryeministri e konsideron të marrë nga sirtarët e Beogradit.
“Autoritetet e Kosovës refuzuan ndërhyrjen brutale të Edi Ramës në punët e brendshme, për një problem me të cilin po merren vendet më të fuqishme të globit. Lidhur me këto zhvillime, PD dënon me forcën më të madhe ndërhyrjen brutale të Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës dhe aktin e tij hakmarrës dhe sherr ndjellës mes dy vendeve fqinjë të një kombi, në një klimë të acaruar”, tha Berisha.
“Së dyti, PD përgëzon refuzimin nga autoritetet e Kosovës për të diskutuar me Edi Ramën projektin e Vuçiqit, njësoj siç bëri me hartat e ndarjes së Kosovës. PD përgëzon refuzimin e diskutimit të projektit dhe rolin ndërmjetës të shpallur nga Edi Rama. Rama është dëshmuar haptas një argat i zellshëm i Aleksandar Vuçiq. Ai ka promovuar si të vetat të gjitha projektet e Vuçiqit, duke filluar me projektin e ndarjes së Kosovës, duke vazhduar me projektin e Ballkanit të Hapur dhe duke vazhduar së fundmi me projektin e Asociacionit, me të cilin Vuçiç dhe Rama kërkojnë shpërbërjen dhe ndarjen e Kosovës”, shtoi ish-kryeministri.
Berisha nënvizoi se angazhimi i Ramës me projekt konkret dhe sherr ndjellës për Asociacionin, që është shoqëruar sipas tij me sulme ndaj Albin Kurtit, fsheh problemet personale të kryeministrit me drejtësinë, të cilat lidhen me zhvillimet e aferës McGonigal në SHBA.
“Kryeministri i Shqipërisë është nën hetim penal të hapur në Uashington për super skandalin e tij me Charles McGonigal. ai është në hetim të hapur, pasi i ka korruptuar aleatit kryesor, ish-shefin e shërbimit të FBI për Nju Jorkun, McGonigal, ndërkohë që ai ishte në detyrë dhe e ka angazhuar atë në hetime private për shkatërrimin e opozitës shqiptare. Kohët e fundit, prokurori amerikan ka kërkuar bashkimin e dosjes shqiptare të McGonigal me dosjen e lidhjeve ruse. Duket se aferat janë të lidhura me njëra-tjetrën. Për të lehtësuar sadopak pozicionin e tij të pashpresë, Edi Rama vazhdon të paraqesë projekte të pa kërkuara për problemin më delikat të rajonit”, u shpreh Berisha.
Në fund ish-kryeministri i drejtohet me një mesazh qeverisë së Kosovës për zbutje të tensionit që ka krijuar çështja e Veriut në raportin e tyre me ndërkombëtarët.
Në emër të demokratëve, Berisha gjithashtu dënoi paralajmërimin e Ramës për vendosje të sanksioneve nga bashkësia Euroatlantike për Kosovën.
“PD e Shqipërisë iu bën thirrje autoriteteve të Kosovës të bashkërendojnë përpjekjet e tyre me BE dhe SHBA për çtensionimin e situatës dhe rikthimin në tryezën e dialogut. Kjo është rruga më e mirë për dështimin e projektit Vuçiq-Rama për ndarjen e Kosovës. PD i konsideron sanksionet ndaj Kosovës, një demokraci e re dhe e suksesshme, popullit të të cilit nuk i janë mbyllur plagët akoma, si një akt të pajustifikuar me ligjin ndërkombëtar dhe moralin e vendeve të lira. Kosova është një bastion i euro-atlantizmit në rajon. Ato sanksione do ishin një shpërblim i pamerituar për autokratët Rama-Vuçiq, që janë të lidhur kokë e këmbë”, tha Berisha.
Diskutime rreth kësaj post