Nga Ilir Sinanaj
Të mos kesh kauzë solide për të bërë opozitë në Shqipëri është të mos kesh aspirata për të drejtuar një forcë opozitare. Fatkeqësisht, Shqipëria është një “minierë kromi” për sa i përket “burimeve” për të bërë opozitë. Në këtë kuadër kryesimi i Partisë Demokratike nga Lulzim Basha lë shumë për të dëshiruar. Pika kulmore e “paaftësisë” së këtij kreu partie, e cila përfaqëson ideologjinë e djathtë ishte në një takim në maj të këtij viti me qytetarët e fshatrave të Pogradecit. Kryedemokrati Basha u tha të pranishmëve se “Vitin tonë të parë në qeverinë e ardhshme do të ketë 100 milionë dollarë subvencione për 200 mijë familje fermerë në të gjithë Shqipërinë. Që do të thotë se do të shkojë paraja siç bëhet ujitja me pikim ashtu do të vijë subvencioni edhe në çdo familje fermere. Nuk do t’iu kërkojnë as NIPT, as sigurime. Mbajeni mend këto që ua them, se sot ua them si kryetar opozite nesër do të vij të ballafaqohem me ju si Kryeministër me këto që iu them”.
Pas kësaj, pavarësisht dëshirës sime për të parë diçka pozitive tek Lulzim Basha, fatkeqësisht u thellua bindja ime se ky djalë nuk e ka idenë asaj që thotë e bën. Po si ka mundësi që një njeri racional të shkojë e t’i thotë një njësie biznesi sado e vogël që ajo të jetë që të mos ketë as NIPT as sigurime? Në lidhje me shtetin subjektet ekzistojnë të regjistruara me shifra dhe numra. Se po të mos ishte kështu lind pyetja si vallë do të subvencionohen këto subjekte kur ato nuk janë të regjistruara si njësi biznesi? Dhe e fundit, shteti kapitalist është ndërtuar mbi taksimin e një veprimtarie biznesi që ndërmerret; si vallë do të plotësohen nevojat e shtetit nëse hiqet taksa për një veprimtari tregtare (spse të heqësh NIPT-it do të thotë të mos lejosh pagesën e taksave)? Në këtë argumentim idetë e Lulzim Bashës janë të rrezikshme e të dëmshme për zhvillimin e qëndrueshëm të kapitalizmit. Por nga ana tjetër unë nuk dua të besoj se Lulzim Basha i ka thënë me gjithë mend këto gjëra. Mund të jetë edhe një populizëm i dëshpëruar për të fituar popullaritet. Dhe aq e “rëndë” paraqitet situata sa Lulzim Bashën duhet ta ndihmojnë socialistët…
Takimet me socialistët
Po në muajin maj kryedemokrati Basha piu kafe me deputetin socialist Pandeli Majko. Nuk ka rëndësi se për çfarë u bisedua, sepse “kryelajmi” siç e dhanë mediat ishte: Basha takon Majkon. Pse vallë kjo kafe duhej pirë në mënyrë kaq të bujshme e të theksohej se kryedemokrati Basha erdhi me ftesë të ish-kryeministrit socialist Majko? Unë mendoj se përgjigja është shumë e thjeshtë: duke qenë se Partia Demokratike është në një minimum historik të fuqisë politike dhe Lulzim Basha nuk po galvanizon forcat intelektuale të kësaj partie, një takim me një nga figurat më të respektuara të politikës shqiptare siç është Pandeli Majko e ndihmon të fitojë pak më shumë popullaritet tek qytetarët shqiptarë. Tashmë në radhët e socialistëve të ndershëm që takojnë Majkon për të diskutuar mbi zgjidhjen e çështjeve të ndryshme u shtua edhe kryedemokrati Basha. Ditën e sotme (06 qershor 2016) u zhvillua takimi i kryedemokratit Lulzim Basha i ftuar nga kryeministri Edi Rama, për t’u takuar me këtë të fundit, për të diskutuar për Reformën në Drejtësi. Përsëri ky takim është për “të ndihmuar” Bashën më shumë se sa për të zgjidhur Reformën në Drejtësi. Me anë të këtij takimi jepet përshtypja se kryedemokrati Basha po merr vendime të rëndësishme si edhe tregon se ka “pak” vendimmarrje në Partinë Demokratike. Për t’ju rikthyer Reformës në Drejtësi, për aq kohë sa debati nuk do të bëhet në prizmin ekonomik, pra të debatohet se si kjo Reformë do të ndihmojë zhbllokimin e forcave prodhuese dhe krijuesve të qytetarëve për të rritur ekonominë, Reforma në Drejtësi mbete një reformë si gjithë të tjerat, që sipas mendimit tim as ka për të ndryshuar ndonjë gjë t madhe. Qofsha i gabuar në këtë mendim, por që në këndvështrimin e kapitalizmit duket mëse logjik. Lind pyetja pse duhet ndihmuar kryedemokrati Lulzim Basha nga socialistët, kur këta të fundit janë gjithmonë nën sulmin e përhershëm të retorikës denigruese të demokratëve? Përgjigja në mendimin tim është se Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që mund të rigjenerohet dhe ka një bazë ideologjike solide. Këtë e bazoj tek rezultatet zgjedhore që ka pasur kjo parti ndër vite, duke qenë e vetmja parti që ka fituar dhe mund të fitojë me shumicë 50+1%, pa ndihmën e forcave të tjera politike (përjashto rastin e fillimviteve ’90 që ishte një anomali politike e shkaktuar nga një tranzicion shumë i shpejtë që la një zbrazëti të madh politike). Por Partia Demikratike “duhet”, e për rrjedhojë Basha po “ndihmohet”.
Një ngjarje nga “Kung Fu Panda”
Problematika e Partisë Demokratike ka qenë mëndësia autokratike e kryetarit të saj të mëparshëm Sali Berisha, i cili luftoi egërsisht zhvillimin e kapitalit njerëzor, por njëkohësisht edhe fakti se asnjë anëtar i Partisë Demokratike, i të gjitha niveleve, nuk ka atë pasion dhe përkushtim në hapësirë dhe në kohë që Sali Berisha ka për të bërë politikë dhe për të drejtuar. Për rrjedhojë përthithja e metodologjisë dhe organizimit të punës së Berishës është një aset “më i çmuar” për Lulzim Bashën se sa takimet me cilindo socialist. Pra ai duhet ta shfrytëzojë dhe ta përvetësojë dijen politike të Bersishës nëse do që të ecë përpara në rrugën e drejtimit të Partisë Demkratike. Basha duhet të marrë më të mirën e metodologjisë drejtuese të Berishës duke futur edhe elementë vendimmarrës që i kërkon bashkohësia. Ndërkaq Basha, deri më tani, mbetet një “fëmijë i llastuar”, që gjithçka e ka gjetur gati dhe nuk po bën asgjë që të lërë një ndikim domethënës. Ky është “krimi” më i madh i tij. Ka shumë djem e vajza demokratë që po të ishin në vendin e tij do t’i jepnin Partisë Demokratike një dinamizëm opozitar që do ta vendoste vërtet në vështirësi koalicionin qeverisës dhe mbi të gjitha do të bënin që qytetarët të fitonin besimin te kjo forcë politike. Për të shpjeguar sa thashë më lartë për mundësinë që Basha duket se po e çon dëm dhe po lundron në hierarkinë politike si “pa të drejtë” më kujtohen seria 41 “Invitation Only” e serialit vizatimor “Kung Fu Panda: Legends of Awesomeness”. Në këtë seri në qytetin e Pandës së famshëm do të vinte një zyrtar i lartë i perandorisë. Specifika e këtij zyrtari ishte se ai zbuloi (siç thuhej në serialin vizatimor) “Rregullin e Artë”: Kur nuk bën asgjë nuk mban përgjithësi për asgjë. Pra ky zyrtar duke mos bërë asgjë u rrit aq shumë në detyrë në administratë sa u bë sekretar i perandorit. Ky është edhe realiteti i trishtë i Lulzim Bashës që po merr në qafë Partinë Demokratike dhe të gjithë opozitën.
Diskutime rreth kësaj post