Dritan Shano, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike thotë se i shikon me shqetësim zgjedhjet brenda partisë. Ai thekson se gara nuk është reale dhe shton se gjithçka duket si një betejë për vulën.
“Basha hyn në garë si kryetar në ketë sprint 100 metra, ku kryetari e nis garën tek metri i 90. Kjo përbëjnë shqetësim dhe kjo më çon të them se nuk ka garë. Një garë që nuk fillon në kushte të barabarta nuk quhet as garë”, deklaroi Shano.
Ndonëse e shikon të paracaktuar që Basha do të mbetet sërish në krye të PD, Shano thekson se në tetë vite në krye të partisë kryetari ka treguar se nuk ka se çfarë t’u ofrojë më shqiptarëve.
“Basha nuk ka aftësi për të ndryshuar, nga 2013 deri në 2021 nuk kam parë asgjë ndryshe. Gjithçka ka qenë identike dhe unë besoj se ai e ka shteruar atë që mund t’u ofrojë shqiptarëve. Nuk mund të biem në kurthin e asaj ‘mirë iku por kush do të vijë’. Në PD ka aq shumë njerëz dhe përtej tre kandidatëve që mund ta drejtojnë PD. Unë e imagjinoj PD si një lumë që rrjedh dhe jo si një pellg. Pengu nuk i duhet askujt, askush nuk e fut gotën aty”, përfundoi Shano për Euro News Albania.
Diskutime rreth kësaj post