Turqia nuk ka gjasa të nënshkruajë kërkesën e Suedisë për anëtarësimin në NATO, përpara fundit të vitit dhe shanset që kjo të ndodhë edhe përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm janë të pakta, sipas zyrtarëve të njohur me këtë çështje.
Suedia nuk ka bërë mjaftueshëm për të përmbushur kërkesat turke dhe axhenda e parlamentit turk është e mbushur për pjesën tjetër të vitit, thanë zyrtarët që kërkuan të mos përmendet për një çështje konfidenciale.
Nga ana tjetër, Turqia është e kënaqur me bashkëpunimin nga Finlanda, e cila gjithashtu ka aplikuar për t’u bashkuar me aleancën, por Ankaraja planifikon të votojë për të dyja aplikimet njëkohësisht, thanë ata.
Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s, do të mbërrijë në Turqi të enjten për takime, ndërsa Ankaraja këmbëngul në ndërmarrjen e hapave të fortë veçanërisht nga Suedia. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është i prirur të konsolidojë votat e nacionalistëve në prag të zgjedhjeve, të cilat aktualisht janë planifikuar për në qershor, thanë ekspertët.
Votimi mund të bëhet edhe më herët por kjo mbetet për tu parë, pasi gjasat janë të pakta.
Qeveria turke nuk ka në plan të kërkojë ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë nga parlamenti nëse nuk plotëson kërkesat ekzistuese për të goditur separatistët kurdë, për të ekstraduar të dyshuar dhe për të hequr plotësisht kufizimet në shitjen e armëve në Ankara, thanë zyrtarët.
Stoltenberg tha javën e kaluar se do të vizitojë Turqinë për të siguruar që të 30 aleatët të ratifikojnë sa më shpejt anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë. Ai do të takohet me Erdoganin, ministrin e Jashtëm Mevlut Çavusoglu dhe ministrin e Mbrojtjes Hulusi Akar, së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë gjatë vizitës së tij që zgjat deri të shtunën.
Turqia dhe Hungaria janë dy aleatët e vetëm të NATO-s që nuk kanë nënshkruar ende anëtarësimin për dy vendet nordike, të cilat aplikuan pasi Rusia pushtoi Ukrainën. Të gjithë anëtarët e aleancës duhet të ratifikojnë kërkesat përpara se të mund të bashkohen. Ndërsa Hungaria ka ecur ngadalë në krahasim me anëtarët e tjerë, ajo mund të votojë për zgjerimin deri në fund të vitit.
Diskutime rreth kësaj post