Ky ballafaqim i dhunshëm me një grup të serbëve të mbledhur para komunës së Zveçanit, ka bërë që NATO të marrë një vendim të rëndësishëm për misionin e saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR.
700 trupa do t’i shtohen KFOR-it brenda dy javësh, si dhe një batalion tjetër rezervë do të qëndroj në gjendje gatishmërie.
E gjithë kjo, sipas ekspertit të sigurisë, Nuredin Ibishi, po ndodhë për një qëllim.
“Në aspektin e rreziqeve të brendshme, por edhe nga jashtë, për çdo rast KFOR-i e ka parasysh dhe i bën vlerësimet e veta me qëllim që të ketë forcat e respektueshme në teren dhe të kryej mandatin ashtu siç është e paraparë edhe me rezolutë, por edhe me planet operative të vetat”, ka thënë Nuredin Ibishi – Ekspert i sigurisë.
Nga ky shtim i forcave, Mentor Vrajolli nga QKSS, vlerëson se megjithatë ekziston një rrezik.
“Shpresojmë që ky shtim i pjesëtarëve të KFOR-it është bërë me qëllim të krijimit të një sinergjie me Policinë e Kosovës dhe assesi që të bëhet në dëm të shtrirjes së rendit dhe ligjit në Kosovë siç ka ndodhur deri më 2007 – 2008, kur pjesëtarët e KFOR-it kanë pamundësuar integrimin e pjesës veriore në pjesën e Kosovës”, ka thënë Mentor Vrajolli – QKSS.
Reagimi ndërkombëtareve në kundërshtim të Kosovës sipas Vrajollit, mund të ketë ndodhur edhe për shkak të një bashkëpunimi të Serbisë me Perëndimin, që u raportua pas rrjedhjes së disa dokumenteve sekrete nga Pentagoni.
“Kjo mbase mund të ndërlidhet me këto rrjedhjet dokumenteve të inteligjencës që ndodhën muajt e kaluar, në muajin prill, ku u raportua se Serbia kishte pranuar që të dërgoj armë në Ukrainë dhe nëse ky skenar është arsyeja e këtij qëndrimi, atëherë mbase ne duhet të rishikojmë mënyrën se si e trajtojmë vetveten, duke e ditur faktin se tani Kosova ballafaqohet edhe me një prioritet tjetër të Bashkimit Evropian dhe të Perëndimit”, shtoi Vrajolli.
Në të dhënat e fundit të publikuara në gusht të vitit 2022, KFOR-i ka 3 mijë e 735 trupa në Kosovë.
Diskutime rreth kësaj post