Kompanitë, të cilat punësojnë dhjetëra-mijëra të rinj shqiptarë, mbartin anën e errët të moskujdesit për shëndetin e tyre fizik dhe psikologjik.
Nga Klevis Paloka, Anxhela Ruci, Nkiruka Omeronye
Migena L. është 22 vjeç dhe një nga momentet më të vështira për të është telefonata e nënës, pasi përfundon punën. Ajo heziton t’i përgjigjet.
E sapodiplomuar në gazetari, Migena punon prej tre vitesh e gjysmë në një Call Center në Tiranë, ku për tetë orë telefonon qytetarë që jetojnë më shumë se 600 kilometra përtej Adriatikut. Detyra e saj është t’i “bindë” të regjistrohen në shërbime dhe oferta që kompanitë italiane ofrojnë.
Bashkë me mungesën e dëshirës për të folur në telefon, si pasojë e orëve të gjata që kalon me kufje në vesh, Migena tregon për PSE se ajo ka humbur dhe qetësinë dhe shpesh e gjen veten të tensionuar edhe në situata të thjeshta sociale.
“Në fund të ditës e gjej veten shumë të lodhur dhe të nervozuar. Kur më përsërisin një gjë dy herë, bezdisem. Kam qenë shumë e qetë, por tani e kam harruar qetësinë..”, – thotë ajo.
Si Migena janë aktualisht afërsisht 25 mijë të rinj shqiptarë, të cilët punojnë për t’iu ofruar përmes telemarketingut shërbime konsumatorëve italianë.
Të punësuarit dhe drejtuesit në këto shërbime telemarketingu i thanë PSE se mosha mesatare e atyre që punojnë aty është rreth 23 vjeç dhe afërsisht 90 përqind e tyre janë duke vazhduar apo kanë përfunduar studimet e larta.
Në një vend si Shqipëria, ku papunësia te të rinjtë e moshës 15 deri në 29 vjeç në vitin 2015 ishte 33.2 përqind, Call Center-at italianë shihen si sektor i rëndësishëm për përmirësimin e indikatorëve të punësimit në këtë kategori.
Me shqetësim gjithashtu institucionet shqiptare kanë përcjellë dhe ashpërsimin e legjislacionit italian muajt e fundit përsa i përket kompanive, të cilat e transferojnë punën jashtë Italisë dhe vendeve të Bashkimit Europian.
Por rrallë në vend flitet për kushtet e punës së të rinjve shqiptarë brenda këtyre kompanive dhe faktit se puna me orare të gjata, duke folur ose dëgjuar dhe qëndruar para kompjuterit, në të njëjtën kohë shkakton dëme psikologjike dhe shëndetësore tek ata.
Nga intervistat me të rinj, të cilët punojnë në Call Center, mësohet se këto kompani nuk ofrojnë për punonjësit e tyre asnjë shërbim ndihmues psikologjik apo kontrolle periodike në lidhje me funksionimin e dëgjimit, shikimit, kordave vokale apo problemeve të shtyllës kurrizore.
Mungesa e shërbimeve të tilla pranohet edhe nga vetë përfaqësuesit e këtyre kompanive.
Sipas Institutit të Statistikave, INSTAT, numri i Call Center-ave në Shqipëri në vitin 2015 arriti në 804, duke u dhjetëfishuar krahasuar me vitin 2000, kur numri i këtyre kompanive ishte vetëm 76.
Nevoja për mbijetesë, më e fortë se kujdesi për shëndetin
Denada M. është 21 vjeç dhe ajo e përshkruan me dy fjalë eksperiencën e saj disavjeçare në Call Center: “Stres dhe Pará”.
Studentja e psikologjisë, e cila ka punuar për tri kompani të ndryshme telemarketingu në Tiranë dhe Durrës, thekson se presioni në ambientet e punës është i lartë dhe kushtet e punës të vështira.
Ajo tregon për PSE se gjatë një turni prej tetë orësh në Call Center është i lejuar vetëm një pushim prej 15 minutash pas katër orëve të para, në një kohë kur qëndrimi ulur për një kohë të gjatë shkakton dhimbje në shtyllën kurrizore dhe shumë stres.
“Mrekullia e ditës time të punës është 15 minutëshi i pushimit”, – thotë ajo, në një kohë kur në të gjithë Call Center-at në vend punohet gjashtë ditë në javë.
Xhuliana Jakimi, një tjetër e re që kishte punuar në Call Center, i tha PSE se ajo kishte ndjerë probleme të mëdha me shikimin gjatë punës.
Klaudia, 23 vjeç, e cila ka tre vjet që punon në Call Center, në dy prej tyre ka ndjerë probleme me veshët, për shkak të kufjeve me përmasa të mëdha dhe volumit të lartë gjatë bisedave me konsumatorët italianë.
Fjoralb Hodaj, një student, i cili për një periudhë katërmujore kishte punuar në njërën prej kompanive, tregoi për PSE se prej stresit të madh që akumulonte në punë kishte probleme me gjumin.
“Nuk arrija të flija dot i qetë, ishte e pamundur të vazhdoja më të punoja”, – tha ai.
Gjithsesi, të rinj të tjerë, pavarësisht këtyre vështirësive, e vijojnë punën në Call Center, sepse një pjesë e tyre nuk mund të vazhdojnë studimet e larta pa mundur të punojnë.
Nga ana tjetër, të sapodiplomuarit hasin vështirësi të mëdha për t`u futur në tregun e punës dhe për pasojë puna në Call Center është mënyra më e lehtë për të fituar të ardhura, të cilat do të sigurojnë një nivel normal jetese.
Një orë pune në këto kompani nis nga 180 lekë deri në 250, por në raste të veçanta të shërbimeve specifike shkon edhe më shumë. Turnet e punës nisin me katër deri në tetë orë, ndonëse nuk janë të rralla rastet kur të rinjtë për më shumë të ardhura shtesë mund të marrin edhe më shumë orë.
Pagesat që merren në këto qendra e kalojnë lehtësisht pragun e rrogës minimale në Shqipëri, e cila është 22 mijë lekë.
Sipas Denadës, pagesa në Call Center është e mjaftueshme për një jetesë normale, në një kohë kur, nëse ajo do të punonte në profesionin e saj si psikologe në institucione arsimore apo edukative, pagesa nuk do të dilte as për të siguruar ushqimin.
Nga ana tjetër, procedurat e rekrutimit tepër të thjeshtëzuara për fillimin e punës në Call Centersjellin një numër të lartë të atyre që kërkojnë të sigurojnë jetesën duke ofertuar në telefon.
Emona Alla, drejtuese e burimeve njerëzore pranë Tregi Marketing Group, që punëson rreth 1 mijë të rinj, i tha PSE se ajo çfarë duhet për të nisur punë në këtë kompani është niveli mesatar i gjuhës italiane dhe gatishmëria për të punuar katër deri në gjashtë orë në ditë.
Mjekët dhe psikologët, të shqetësuar
Mjekja ortologe pranë spitalit universitar “Nënë Tereza”, Jetmira Fejzaj, tha për PSE se problemet me kordat e zërit dhe dëmtimi i dëgjimit janë një nga faktorët më problematikë të punës për një kohë të gjatë në Call Center dhe për të parandaluar këtë kërkohen kontrolle mjekësore të herëpashershme.
“E folura pa pushim mund sjellë probleme me kordat e zërit, ndërsa përdorimi për një kohë të vazhdueshme i kufjeve mund të dëmtojë nervin e dëgjimit.
Është e këshillueshme që punonjësit e Call Center-ave të kontrollohen çdo 6 muaj për të parë se në ç’gjendje është dëgjimi i tyre”, – theksoi ajo.
Ndërkaq, sipas atyre që punojnë në Call Center, asnjëra nga këto qendra nuk paguan për kontrolle mjekësore, periodike për punonjësit.
Një nga problemet më të mprehta të punës në këto kompani është stresi, i cili iu krijohet të rinjve nga qëndrimi për një kohë të gjatë pa lëvizur përpara kompjuterit, duke qenë vazhdimisht duke folur ose dëgjuar.
Psikologia, Fleura Shkëmbi, njëkohësisht dhe pedagoge pranë Universitetit Europian të Tiranës, i tha PSE se puna për një kohë të gjatë në Call Center sjell pagjumësi, stres dhe dembelizëm.
“Ky është pikërisht momenti që të hiqet dorë nga kjo punë dhe të rinjtë të fillojnë t`i kushtojnë më shumë rëndësi vetes dhe mirëqenies së tyre”, – sugjeron ajo.
Sipas Shkëmbit, vështirësi të madhe sjell fakti se kompanitë nuk ofrojnë shërbime terapie psikologjike duke e lënë situatën të rëndohet dhe duke nisur nga fakti që seancat e terapisë zakonisht nisin nga 1,500 lekë ora dhe punonjësit e Call Center-ave kanë vështirësi t`i ndjekin ato.
“Kompanitë nuk paguajnë për shërbimet te terapisti. Kështu, ata, (të rinjtë), ngecin në një qark.
Punojnë që të fitojnë pará, më pas i harxhojnë këto pará te psikologu. Çfarë mbeti në fund?”, – thotë ajo.
Emona Alla pranon për PSE se në kompaninë ku ajo është drejtuese çështja e ndihmës psikologjike për punonjësit është menduar, ndonëse ende nuk është vendosur nëse ky shërbim do të mbulohet nga kompania.
Sipas psikologes Shkëmbi, stresin gjithashtu e shkakton dhe mungesa e perspektivës brenda këtyre kompanive.
“Vjen një moment dhe të rinjtë e kuptojnë se kanë mbetur në të njëjtën pikë të jetës së tyre.
Ata e kuptojnë se nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë shitur oferta të ndryshme përmes telefonit”, – thekson ajo.
Mungesa e vëmendjes ndaj problemeve psikologjike dhe shëndetësore të punonjësve sigurisht që është efekt tejet negativ, i cili e detyron një të ri të bëjë llogaritë e duhura përpara se të ndërmarrë hapin e punësimit në këto kompani.
Marrë nga PSE2017
Diskutime rreth kësaj post