Kreshnik Spahiu, ka reaguar nëpërmjet një shkrimi lidhur me disa komente negative që pasuan vdekjen e analistit Andrea Stefani në rrjetet sociale.
Në shkrimin e publikuar në profilin e tij, Spahiu shprehet se pavarësisht se Stefani ishte kritik i ashpër i Aleancës Kuqezi dhe të djathtës, meriton respekt për karrierën e shkëlqyer dhe pa kompromise me pushtetin.
“Gazetari Andrea Stefani vdiq në varfëri dhe jetoi deri ditën që ndërroi jetë në një apartament 1+1 kuzhinë tek rruga e Elbasanit.
Çuditërisht komentuesit në rrjete sociale shpërthyen me sharje dhe baltosje thjesht nga një mesazh ngushëllimi që publikova për njeriun me të cilin punova rreth 5 vite në programin amerikan USAID.
Prej 7 vitesh nuk e kisha takuar sepse Andrea ishte një nga opozitarët kundër Aleancës Kuqezi dhe kritik i ashpër i imi dhe i së djathtës.
Gjithsesi gazetari Andrea Stefani meritonte respekt për karrierën e tij të shkëlqyer. Andrea shkroi 22 libra dhe shahet sot nga njerëz që nuk kanë lexuar 22 faqe në jetë.
Andrea njihte 4 gjuhë të huaja dhe baltoset nga analfabetë të shqipes. Andrea shkroi qindra analiza ekonomike dhe ofendohet nga ata që nuk njohin tabelën e shumëzimit.
Andrea ishte gazetari më i vlerësuar nga SHBA dhe BE, por sot pështyhet nga njerëz që mbjellin hashash.
Andrea në jetën e tij të shkurtër as nuk vrau dhe as nuk vodhi, por ishte rrogtar dhe vdiq në modestinë e një profesionisti.
Më kritikoi për shumë vite mua dhe dhjetëra politikanë të cilët kemi bërë më shumë gabime se Andrea që nuk pati kurrë një karrige pushteti. Andrea iku por pas la shumë mllef tek ata që nuk kuptojnë që kemi lind si njerëz të lirë dhe e vetmja e drejtë është fjala.
Andrea iku por pa u varrosur iu hodh shumë baltë nga ata që nuk kuptuan kurrë se Shqipërisë nuk i vjen e keqja nga fjala dhe kritikat nuk janë kurrë të dëmshme. Më fal o miku im që u largove nga kjo botë dhe s’të falenderova kurrë për opozitën e (pa)drejtë që më bëre sepse e drejta nuk është e vërteta absolute e askujt.
Lamtumirë Andrea nga Shqipëria e cila vazhdon të poshtërojë edhe të vdekurit ende pa u varrosur.
Më vjen keq Andrea që ike nga kjo botë dhe nuk kuptove që shqiptarin e vret fjala, andaj prit baltën nga një popull i pafe që prishi kisha dhe xhamija. U prehsh në paqe; pasi iu largove ferrit…..”, shkruan Spahiu.
Diskutime rreth kësaj post